Lidhje

Presidenti Bush u takua në Kroaci me presidentin Stipe Mesiç


Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, priti presidentin Bush, një ditë pasi takimi i nivelit të lartë i NATO-s në Bukuresht ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Presidenti Bush mbërriti në Zagreb sot paradite, pasi udhëheqësit e NATO-s i dhanë fund takimit të nivelit të lartë në Bukuresht, ku u takuan edhe me presidentin rus Vladimir Putin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer tha sot se bisedimet u zhvilluan në frymë pozitive por nuk njoftoi për ndonjë arritje të rëndësishme.

Zoti Putin tha më pas se është i kënaqur me bisedimet por vuri në dukje disa probleme, si kundërshtimin e Rusisë ndaj planeve amerikane për instalimin në Europë të një sistemi për mbrojtjen nga raketat dhe vazhdimin e zgjerimit të NATO-s.

Po sot, udhëheqësit e NATO u takuan me presidentin ukrainas Viktor Yushchenko për të diskutuar mbi perspektivën e anëtarësimit të vendit të tij në NATO në të ardhmen.

Dje, udhëheqësit e NATO-s deklaruan se Ukraina dhe Gjeorgjia ende nuk janë gati për të filluar procesin e anëtarësimit por theksuan se të dyja këto republika ish sovjetike janë padyshim në rrugën drejt hyrjes në Aleancë.

Zoti Yushchenko e quajti këtë një ngjarje historike për vendin dhe popullin e tij.

Të dielën, zoti Putin do të presë Presidentin Bush në vendpushimin e Detit të Zi, Soçi, për bisedime që pritet të përqendrohen te sistemi antiraketë.

Sot, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje tranziti, e cila lejon kalimin përmes territorit të Rusisë të dërgesave që nuk përmbajnë armë vdekjeprurëse për forcat e Aleancës në Afganistan. //ii

XS
SM
MD
LG