Afro 500 mijë qytetarë kanë të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan të dielën në Mal të Zi. Sipas të dhënave më të fundit të Komisionit Zgjedhor Republikan, në votime kanë marrë pjesë afro 70% e zgjedhësve, shifër mjaft e lartë në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2006.
Në qendrat e votimit zgjedhjet janë zhvilluar përgjithësisht të qeta dhe pa ndonjë parregullsi, nderkohë që vëzhguesit vendorë dhe ata të huaj, infrastrukturën zgjedhore, e cilësuan si funksionale dhe demokratike.
Forcat politike shqiptare u kanë bërë thirrje elektoratit që të votojnë për kandidatët pro-malazez, veçanërisht për ata kandidatë që kanë synime të qarta rreth avancimit të të drejtave dhe lirive të pakicave dhe njohjes së pavaresisë së Kosovës.
Rrezultatet më të fundit të sondazheve të agjensisë së pavarur malazeze CEDEM tregojnë për një mbështetje të dukshme të zgjedhësve ndaj kandidatit te partise ne pushtet në Mal të Zi. Po sipas këtyre sondazheve besohet se kandidati Filip Vujanoviq mund te fitojë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Nebojsha Medojeviç i Lëvizjes Liberale për Ndryshim, dhe pro-serbët Andrija Mandiç dhe Srdjan Miliç pritet të marrin pjesën tjetër të votave në këtë vend tepër të ndarë, siç tregojnë anketat para-zgjedhore.
Serbët në Mal të Zi, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë, nuk e kanë përkrahur ndarjen e vendit nga Serbia në referendumin e majit 2006. Ata kanë kërkuar lidhje më të ngushta politike dhe ekonomike me Beogradin, të cilat nuk kanë qenë aq të ngrohta që nga ndarja. Kandidatët pro-serbë kanë premtuar se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës nëse zgjidhen.
Votimet e së dielës do të tregojnë nëse vendi prej 620 mijë banorësh do të forcojë pavarësinë e tij apo do të bjerë përsëri nën ndikimin e Serbisë.
Mali i Zi ishte mbretëri e pavarur para Luftës së Parë Botërore, dhe pastaj pjesë e Jugosllavisë, deri sa kjo e fundit filloi të shpërbëhej me dhunë në vitin 1991. Mali i Zi mbeti i bashkuar me Serbinë deri sa u nda në mënyrë paqësore. //bsa//