Lidhje

Sa të suksesshme janë sanksionet ekonomike?


Sanksionet ekonomike vendosen kryesisht si një mënyrë jo e dhunshme për të ushtruar presion ndaj një qeverie të veçantë, për të ndryshuar politika të caktuara. Por sanksionet shpeshherë janë të debatueshme dhe efektiviteti i tyre nuk është i sigurtë. Por sa të suksesshme kanë qenë sanksionet deri tani?

Sanksionet ndërkombëtare luajtën rol për t’i dhënë fund aparteidit. Francis Kornegi është analist, pranë qendrës për Studime Politike të Johanesburgut. “Izolimi politik dhe ekonomik i Afrikës së Jugut, i kombinuar me rebelimin dhe me anarkinë, sigurisht që krijoi një sforcim në regjimin e aparteidit, deri në atë masë, saqë zbatuesit e tij llogaritën, që përpjekjet për t’u varur tek sistemi i aparteidit, do të sillnin pasoja jo të mira; për këtë arsye, ata arritën në përfundimin, se duhej ndryshuar taktika dhe se negociatat ishin të nevojshme.”

Drejtori i firmës konsulente Ekonometriks në Johanesburg, Azar Xhamin, thotë se sanksione të tjera, si ndalimi në shkallë ndërkombëtare i lidhjeve sportive dhe kulturore, luajtën një rol më të madh se sa sanksionet ekonomike. Edhe këto masa, thotë ai, nuk ishin arsyeja e vetme se pse presidenti i asaj kohe, Frederik De Klerk, vendosi të negociojë me Kongresin Kombëtar Afrikan.

Mjedisi i përgjithshëm gjeopolitik ndryshoi në mënyrë dramatike në vitin 1989 dhe nuk ishte rastësi që Presidenti De Klerk i hoqi masat ndaluese ndaj Kongresit Kombëtar Afrikan në shkurt të vitit 1990, pikërisht 4 muaj pas rënies së Murit të Berlinit. Sanksionet thuhet se kanë luajtur një rol në pranimin nga Libia të përgjegjësisë për sulmet me bombë të Lokërbisë dhe rrjedhimisht, dënimin e terrorizmit.

Por ambasadori i Libisë në Shtetet e Bashkuara, Ali Aujali, thotë se angazhimi i komunitetit diplomatik ndërkombëtar me Libinë ishte shumë më i efektshëm. “Sanksionet nuk janë instrument për ndryshimin e politikës në vendet e tjera; sanksionet ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve”.

Analistët thonë se sanksionet ekonomike shpesh lëndojnë të pafuqishmit, pikërisht njerëzit të cilët synohet të ndihmohen. Ato mund të ndikojnë edhe tek ekonomia, shumë kohë pasi arsyeja e ndëshkimit të jetë harruar. Gjithashtu, sanksionet jo gjithmonë gëzojnë mbështetje universale prandaj edhe sabotimi i tyre i tyre është diçka e zakontë, si në rastin e Irakut.

Azar Xhamin i firmës Ekonometriks, thotë se në kushtet e globalizimit në rritje të ekonomisë, qeveritë kanë shumë më pak kontroll mbi tregtinë. "Po bëhet përherë e më e vështirë për cilindo që përpiqet të vendosë sanksione në një mjedis ku bota globalizohet vazhdimisht."

Por, megjithëse me globalizimin e ekonomisë sanksionet mund të bëhen më pak të efektshme ato përsëri do të vazhdojnë të përdoren, sepse përbëjnë një nivel të ndërmjetëm të presionit ndërkombëtar, një rrugë të mesme midis komunikimit me mjete diplomatike dhe ndërhyjres ushtarake. //bsa//

XS
SM
MD
LG