Lidhje

Kanceri dhe duhani të lidhur gjenetikisht; Gjeni i jetëgjatësisë tek njerëzit shtatshkurtër


Kanceri dhe duhani të lidhur gjenetikisht

Për mjekët e gjithë të tjerët, një pyetje vazhdon të mbetet pa përgjigje; përse një person që kurrë nuk ka pirë duhan preket nga kanceri në mushkëri, ndërkohë që një tjetër person që ka pirë duhan për dhjetra vjet, nuk ka asnjë shenjë kanceri?

Përgjigja, thonë shkencëtarët, mund të fshihet thellë në përbërjen gjenetike të secilit prej nesh.

Tre grupe të ndryshme kërkimore, duke punuar veças, gjetën një lloj gjeni që shton rrezikun e prekjes nga kanceri në mushkëri.

Një grup arriti në përfundimin se në qoftëse një person e ka këtë lloj gjeni dhe pi duhan, ai/ajo ka të ngjarë të pijë më shumë cigare në ditë sesa një tjetër që pi duhan por që nuk e ka këtë gjen. Dhe ky është gjeni që e shtyn njeriun të pijë duhan.

Mjeku Keri Stefanson thotë se ky gjen duket se nuk e bën njeriun të fillojë cigaren, por nëse personi pi cigare, ky gjen e bën atë të pijë më shumë.

Autorët e studimit nuk janë të një mendimi nëse shtimi i rrezikut të kancerit në mushkëri ndodh sepse personat me këtë lloj gjeni pijnë më shumë cigare apo nëse vetë ky gjen çon në shkaktimin e kancerit.

Shkencëtarët thonë se rëndësia e studimit është se tani ata do të jenë në gjendje të kuptojnë këto dallime gjenetike dhe në të ardhmen mund të bëjnë punë më të mirë për parandalimin e fillimit pirjes së duhanit dhe për të ndihmuar ata që pijnë që ta lënë atë.

Studime të tjera në të ardhmen rreth këtij lloj gjeni mund të sqarojnë edhe shumë gjëra si për shembull; përse disa njerëz përpiqen ta lënë cigaren, por pa sukses.

Gjeni i jetëgjatësisë përgjegjës për trupin e shkurtër

Shkencëtarët mendojnë se jeta e gjatë dhe trupi i shkurtër janë të lidhur. Sipas tyre, një gjen që afekton hormonin e rritjes apo zgjatjes së trupit duket se ndihmon për të patur një jetë më të gjatë. Ata thonë se ky gjen ndeshet shpesh tek gratë me shtat jo më të lartë se 1 metër e 50 centimetra dhe që jetojnë mbi 100 vjeç

101 vjeçarja Adele Lerner po i bën sfidë moshës. Ajo bisedon dhe kalon kohën me vajzën e saj, Terri, ndërkohë viziton vajzën tjetër, Karen, në një shtet tjetër, duke përdorur kamerën në internet apo WEB CAM.

Ajo shpreh dëshirën për të njohur çdo gjë. Gjithmonë në kërkim të diçkaje, pa u ndalur kurrë.

Dhe pikërisht sepse 100 vjeçarë si Adele duken të palodhura, e shtyu shkencëtarin Nir Barzilai që të merrej me studimin e gjeneve të personave të tillë. Ai dhe grupi i punës kërkimore që ai kryeson kanë gjetur një ndryshim në një gjen që lidh jetëgjatësinë me trupin e shkurtër tek disa persona që kanë jetuar mbi 100 vjeç, përfshi Adele Lerner, me një gjatësi trupore jo më shumë se një metër e gjysmë. Këto ndryshime gjenetike afektojnë përgjigjen e organizmit nndaj hormonit të rritjes, thotë doktor Barzilai pranë kolegjit mjekësor Albert Anshtajn. Sipas tij, në sajë të gjenit të ndryshuar, tek hormoni i rritjes krijohet një pandjeshmëri. Kjo bën që hormoni të mos kryejë mjaftueshëm funskionin e vete dhe kështu trupi të mos zgjatet më.

Studimet e mëparëshme tek kafshët në laborator e kanë lidhur këtë ndryshim gjenetik me jetëgjatësinë. Por në studimin e tij, doktor Barzilai thotë se ndryshimet gjenetike u gjetën vetëm tek gratë 100 vjeçare dhe shton se ky ishte vetëm një prej gjeneve që lidhet me jetëgjatësinë.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit që jetojnë mbi 100 vjeç duhet të kenë në përbërje këtë gjen të ndryshuar.

Ndërkohë, Adele Lerner, e cila në moshën 83 vjeç mori një diplomë universitare për artet e bukura, duket se nuk shqetësohet nga vitet mbi supe. Mosha, thotë ajo, nuk është gjë, përderisa ndjehesh e re në mendime.

XS
SM
MD
LG