Lidhje

Kondoliza Rajs: Nuk do të kandidoj për nënpresidente


Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice nuk u dha rëndësi disa njoftimeve të medias se ajo është kandidate e mundëshme për nënpresidente për senatorin John McCain, i cili e ka siguruar emërimin e Partisë Republikane për president. Zonja Rice thotë se dëshiron të kthehet në punën e saj në Universitetin e Stanfordit kur t’i ketë mbaruar mandati në administratën e tanishme.

Zonja Rice, e cila ka qenë Këshilltare e Presidentit Bush për Sigurimin Kombëtar para se të bëhej Sekretare e Shtetit, shihej nga disa analistë politikë dy vjet më parë si kandidate e mundëshme republikane për presidente për zgjedhjet e 2008-s.

Ajo vazhdimisht i ka mohuar zërat se ka patur ambicje presidenciale ndërsa tani që senatori John McCain e ka të siguruar emërimin e Partisë Republikane për president, ajo nuk po u kushton rëndësi komenteve se mund të jetë e interesuar për të kandiduar si nënpresidente.

Spekulimet e kohëve të fundit lidhur me zonjën Rice morën shkas nga pohimi i bërë gjatë fundjavës nga lobisti republikan Dan Senjor, i cili thotë se zonja Rice po bën fushatë aktive për të marrë kandidaturën për nënpresidente.

Senjor, ish zëdhënës i autoritetit të përkohshëm amerikan në Irak, i tha një kanali televiziv se zonja Rice e kishte shfaqur interesimin e saj për këtë post duke u takuar mes të tjerash privatisht me një grup politik republikan.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Sean McCormack u përpoq dje t’i mbyllë spekulimet për këtë çështje, duke thënë se zonja Rice e ka bërë të qartë në shumë raste se nuk është e interesuar për postin e nënpresidentes.

Dje, zonja Rice iu përgjigj një pyetjeje të tillë gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrat e jashtëm të Kanadasë dhe Meksikës.

Ajo e vlerësoi lart senatorin McCain por ritheksoi se nuk ka plane për të hyrë në një dyshe presidenciale me të: "Senatori McCain është një amerikan i jashtëzakonshëm, një udhëheqës me të vërtetë i shquar dhe natyrisht një patriot i madh. Megjithatë, unë kam në plan të rikthehem në Stanford, në Kaliforni, në perëndim të Misisipit. Jam shumë e interesuar ta vëzhgoj këtë fushatë dhe të votoj si votuese."

Zonja Rice ka qenë administratore e lartë e Universitetit prestigjoz Stanford dhe ka theksuar se teknikisht ajo thjesht është larguar me leje nga ky universitet.

Megjithë pohimet se nuk është e interesuar për postin e nënpresidentit, zonja Rice ka diskutuar kohët e fundit më shpesh se sa më parë për çështje të politikës së brendëshme, duke përfshirë çështje të marrëdhënieve mes racave.

Ajo është afrikano-amerikania dhe gruaja me pozitën më të lartë në administratën e presidentit Bush dhe shihet nga disa vëzhgues politikë si një personalitet që do të vendoste një baraspeshë demografike në dyshen presidenciale republikane nëse senatori Obama fiton emërimin e Partisë Demokrate.

Analistë të tjerë argumentojnë megjithatë se duke patur zonjën Rice si kandidate për nënpresidente, kjo do ta lidhte senatorin McCain tepër ngushtë me ndërhyrjen në Irak dhe me veprime të tjera jopopullore të administratës Bush.

Vetë zonja Rice i tha para pak ditësh gazetës Washington Times se "është koha për gjak të ri" në politikën republikane.

Nga ana e tij, Senatori McCain ka shprehur vlerësime për zonjën Rice duke e quajtur rolin e saj të përgjithshëm plot merita. Por ai tha të dielën se nëse zonja Rice ka dërguar sinjale se dëshiron të jetë kandidatja e tij për nënpresidente, atëhere ai nuk i ka vënë re këto sinjale. //ii

XS
SM
MD
LG