Lidhje

Humbjet globale nga kriza e huave në Amerikë, një trilion dollarë


Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se humbjet botërore nga kriza e huave të shtëpive në Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë në 946 miliardë dollarë ndërsa pasojat po përhapen në ekonominë botërore. FMN-ja e nxorri raportin e saj të përvitshëm para takimit të pranverës në Washington që fillon të shtunën.

FMN-ja thotë se rënia e çmimit të shtëpive dhe mospagimi i huave mund të çojnë në humbje që kapin shifrën 565 miliardë dollarë. Por në se kësaj i shtohen edhe pasojat tek pasuritë e patundshme që përdoren për biznes dhe ato të tregut të kredit të konsumatorëve, humbja reale mund të jetë rreth një trilionë dollarë.

Jaime Caruana është drejtor i FMN-së në departamentin e tregjeve monetare. "Tronditja e kredive që vjen nga kriza e huave do të zgjerohet duke sjellë një rënie të madhe ekonomike".

Në raportin për Stabilitetin Financiar Global për vitin 2008, FMN-ja thotë se kriza është përhapur përtej tregut të huave në Amerikë dhe kërcënon tani tregjet e kredive në vende të tjera. Zoti Caruana thotë se prespektiva e humbjeve të mëtejshme rrit presionin mbi bankat duke kufizuar kapacitetin e tyre huadhënës. "Përkeqësimi në tregun e kredive është përhapur dhe ka kapur spektrin e kredive edhe në tregjet e huave komerciale dhe të korporatave".

Përhapja e këtyre pasojave, thotë zoti Caruana do të çojë në falimentime të mëtejshme. "Evropa gjithashtu do të shohë kushte më të vështira dhe ngadalësim të kredidhënies ndërsa bankat e tyre kanë shënuar humbje dhe tregjet janë tani më të shtrënguara".

Banka Qëndrore amerikane mori masa kohët e fundit për të shtuar sasinë e parave në qarkullim në mënyrë që të stabilizonte tregjet financiara. Por zoti Caruana thotë se dështimi i qeverisë për të vëzhguar si duhet sektorin financiar ishte gabimi kryesor në çoi në këtë krizë.

FMN-ja është kritikuar gjithashtu që nuk arriti të parashikonte krizën dhe për reagim të ngadaltë ndaj saj. //rd//

XS
SM
MD
LG