Lidhje

Deficiti tregtar i Shqipërisë në rritje


Në Shqipëri, deficiti tregtar ka pësuar një thellim të mëtejshëm. Sipas të dhënave të ofruara nga Banka Qëndrore, deficiti gjatë vitit 2007 arriti shifrën mbi 2.2 miliard euro, ose 27 përqind më të lartë se në vitin 2006.

Kapacitetet prodhuese vendase janë ende në kuota shumë të ulëta dhe të pamjaftueshme për të përballuar kërkesat në rritje. Eksportet shqiptare me vështirësi arrijnë të mbulojnë 26 përqind të importeve, një raport i cili ka ardhur duke u thelluar dhe ka rritur deficitin.

Në një raport të Bankës së Shqipërisë thuhet se gjatë vitit 2007 si importet ashtu dhe eksportet kanë shënuar rritje pothuajse të njejtë në përqindje, por me diferencë të madhe në vlerë. Kështu, importet llogariten në 2 miliard e 921 milion euro përkundrejt vetëm 786 milion euro nga eksportet. Produktet shqiptare që përfundojnë në tregjet e huaja janë të pakta.

Sipas raportit të bankës eksportet përfaqësohen kryesisht nga mineralet, të rritura 3 herë gjatë vitit të kaluar, si dhe lëndët djegëse, ose nafta e papërpunuar. Por pjesën dërrmuese, afro 67 përqind, e përfaqësojnë produket e industrisë përpunuese, të cilat përsëri nuk janë produkte të mirëfillta shqiptare. Lënda e parë për këto produkte vjen në Shqipëri, përpunohet dhe rikthehen në tregjet e huaja. Këto prodhime janë kryesisht këpucë e veshmbathje.

Importet nga ana e tyre përfaqësojnë një gamë shumë më të gjerë produktesh që nga makineritë, kryesisht ato të ndërtimit, deri te mallrat e konsumit që përfaqësojnë afër 30 përqind të vëllimit të importeve. Gjatë vitit të kaluar për shkak të krizës energjitike vendi u detyrua të shtojë importet e energjisë, me rreth 3.5 herë më shumë si sasi, por me një vlerë prej 6 herë më të lartë për shkak të rritjes së çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo tendencë e një deficiti mjaft të madh tregtar shoqëron prej vitesh të tëra ekonominë shqiptare. Nëse do të ishte i kuptueshëm importi i teknologjisë, hapësirat për mallrat e konsumit ende nuk po ngushtohen, sepse bujqësia shqiptare nuk po gjen mundësi zhvillimi ndonëse kërkesat e tregut janë të mëdha. Parcelizimi i tokave, mungesa e infrastrukturës, por edhe e një politike nxitëse të prodhimit vendas, kanë bërë që bujqësia të jetë ende në nivele të tilla që tregjet shqiptare të jenë të mbushura me produkte të përditshme të importuara, që nga bulmetrat, perimet dhe frutat e stinës.//af

XS
SM
MD
LG