Lidhje

Topi: Duhet të bëhet kujdes në prekjen e Kushtetutës


Presidenti Topi tha se marrja e ftesës për anëtarësim në Nato, përveçse i bën një vlerësim vendit për përmbushjen e reformave të nevojshme në fushën e drejtësisë dhe atë elektorale, i ve përpara një përgjegjësie më të madhe institucionet dhe klasën politike të Shqipërisë për vazhdimin e reformave.

Bamir Topi: Pranimi, apo marrja e ftesës për anëtarësim në Nato ka qënë një ngjarje e cila në këto momente nuk ka nevojë për koment. Të gjithë kanë vlerësuar shumë këtë moment që ndau Shqipërinë në mënyrë definitive nga e kaluara dhe e futi në një projeksion definitiv për të ardhmen. Ne kemi rastin këtu të themi se marrja e ftesës presupozon një rritje të përgjegjësive, të angazhimeve, qofshin këto në rafshin politik por besoj edhe për të gjitha reformat që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë dhe institucioneve të vendit. Kemi patur rastin që të plotësojmë disa detyra të rëndësishme në prag të marrjes së ftesës sikurse ka qenë bashkëpunimi pozitë-opozitë. E rëndësishme është që vullneti të ekzistojë, një vullnet pozitiv stabël. Me sa unë shikoj, pavarësisht nga debati politik i ditës, të gjithë janë të orientuar të zbatojnë pikërisht atë që kanë deklaruar publikisht që ne do të punojmë intensivisht që të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të Natos brenda një kohe të shkurtër duke thënë shembuj direkt konkretë në zbatim të detyrave.

Zëri i Amerikës: Dje grupi parlamentar i Partisë Demokratike doli me disa propozime për ti bërë ndryshime kushtetutës, midis tyre edhe figurës së presidentit. Cili është komenti juaj për këtë?

Bamir Topi: Unë në rast se do të ruaj pozicionin ku jam sot, ku po intervistohem në postin e presidentit, sot unë jam president i Republikës dhe është në parimet e mia por edhe në detyrimet e këtij pozicioni që të mos interferojë në çështje të debatit politik. Në rast se do të shkëputesha nga ky pozicion qoftë në një pozicion politik, qoftë në një pozicion civil të paangazhuar sigurisht do të kisha për të thënë shumë për këtë situatë. Ajo që unë mund të deklarojë sot është që duke qënë garant i ligjeve, i kushtetutës për të cilën jam votuar, mund të them që në parim, kur bëhen lëvizjet në kushtetutë, i cili është dokumenti themeltar i shtetit, forcat politike, politikanët, cilëtdo qofshin ata, pavarësisht nga përkatësia dhe eksperienca e tyre, duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse të prekësh themelet e shtetit pa pasur një mendim të qartë dhe për të ndërhyrë në mënyrë shumë frekuente, atëherë do të thotë të mos japësh asnjë lloj garancie për murret e ndërtesës. Pra ideja është kjo që, debati politik ka nevojë të bëhet pa emocione, pa mendime të çastit dhe shpesh mendimet e çastit vijnë edhe nga emocione të forta politike ku ne kem patur rastin ti shofin më ekperiencën tonë politike, por bëhet e bazuar, bëhet në bazën e një konsultimi. Kjo e ndan politikanin me një njeri të paangazhuar, kjo e ndan politikanin me një profesionist të një fushe të caktuar, kjo e ndan burrin apo gruan e shtetit me një njeri të zakonshëm sepse ka nevojë që gjërat pasi të konsultohen të hidhet një dritë prespektive në vite më tej. Dikur thonim që quhesh intelektual në se parashikon se si do të jetë e ardhmja deri në 20 vitete e ardhshëm. Të jesh burrë shteti, të jesh politikan duhet të parashikosh disi më shumë. Ne kemi pasur raste, dhe këto nuk janë nocione teorike, në historinë e njerëzimit, të politikës të njerëzve që kanë drejtuar shtetin, edhe në eksperiencat shqiptare dhe dimë që janë dhënë mendime të mjaft të kosoliduara, të pjekura për prespektivën dhe besoj që politika meqënëse jemi pikërisht në këtë çështje kur kushtetuta është e nevojshme të preket, duhet të preket mbasi të jetë konsultuar mirë. Përndryshe pastaj ne mund të bëjmë veprime të cilat nuk i shërbejnë një stabiliteti apo një ecurie afatgjatë, konform asaj që ne kërkojmë që të jemi në sinkron me të gjitha standartet euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Çështja e Gërdecit. Menjëherë pas ndodhjes së kësaj fatkeqësie ju i bëtë thirrje prokurorisë që të gjejë personat përgjegjës për ngjarjen. Megjithatë deri tani vetëm tre persona janë marrë nën shqyrtimin e prokurorisë. A do të shërbejë kjo si një mësim për institucionet shqiptare për të marrë përsipër përgjegjësinë për çështje kaq të rëndësishme?

Bamir Topi: Rasti i Gërdecit është një rast tragjik, dhe padiskutim duhet të nxjerrim përgjegjësitë. Përgjegjësi që vijnë me autorët e drejtëpërdrejt, ato që vijnë me përgjegjësitë institucionale, me domosdoshmërinë e bashkëpunimit të institucioneve, të reformimit të sjelljes në standart të gjitha gjërat. Është një rast që nuk mund të anashkalohet. Unë besoj që të flasësh sot në fazën ku ndodhet hetimi ndoshta do të bënim ndonjë gabim siç u shpreha pak më parë. Gjithmonë kemi stimuluar dhe vazhdojmë të stimulojmë punën e prokurorisë e cila nga ana e vet ka në profesionin dhe në artin e hetimit, ka disa gjëra që janë të pashmangshme. Pra është hetimi dhe bashkëpunimi fatmirësisht edhe me ekspertë ndërkombëtar që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj që po krijohet e gjithë baza e të dhënave që do të bëjë të mundur që hetimi të jetë shumë profesional. Unë besoj që prokururia mbi bazë të atij motivacioni dhe asaj çka ne kërkojmë do të bëjë një hetim të pavarur. Ajo që ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi që ky hetim vërtetë të jetë i pavarur, të jetë pa asnjë lloj paragjykimi dhe ti shkojë gjërave deri në fund për të demonstruar më së fundmi që Shqipëria kërkon të bëhet shtet i së drejtës, shtet i të gjithë qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Një pyetje lidhur me çështjen e pronave. Në të kaluarën Shqipëria ka një histori të dhimbshme të qëndrimit ndaj pronës dhe ndaj pronarëve. Por edhe kohët e fundit ndaj pronarëve të rinj. A po merren masat e nevojshme për respektimin e pronës e cila është sanksionuar me kushtetutën e Shqipërisë.

Bamir Topi: Unë jo vetëm në pozicionin e Presidentit të Republikës por edhe si politikan, edhe si profesionist dhe njëri i thjeshtë në jetën civile kam konstatuar që mbas kthimit të sistemit çka presupozonte që prona kalonte nga pronari shtet në një strukturë private, kam konstatuar që janë bërë shumë ligje, shumë akte nënligjore dhe për ti bërë një vlerësim të drejtëpërdrejt, aktual të situatës së pronave mund të them që ka mjaft difekte, ka mjaft difekte, ka një lloj kaosi, kaos që nuk krijohet nga qytetarët por nga institucionet, krijohet nga politika. Mund të them që do të jem shumë i angazhuar në ditët që vijnë për ta rikapur edhe njëherë këtë temë. Nuk e rikap këtë temë sepse kam unë thjesht dëshirën personale, por jam në një komunikim intensiv të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët, vijnë letra pa fund, ankohen për institucionet, ankohen për deformime të strukturës së pronës për mbivendosje. Dhe më thoni, në rast se ka kaq probleme në një vend kaq të vogël kur problemet dihen, përgjegjësia e kujt është? Duhet të dali përgjegjësia e drejtëpërdrejtë, tek e fundit, njerëzit votohen për ti shërbyer njerëzve, popullit dhe çdo katër vjetë ka një bilanc të qartë. Në rast se bëhen detyrat rikonfirmohesh, në rast se nuk bëhen detyrat pastaj është përgjegjësia e klasës politike e cila ka marrë përgjegjësinë për ta administruar fatin e tyre. Më thoni një model, një vend kapitalist që ka zhvilluar ekonominë me bazë pa patur atë që është pika e referimit që është prona. Kjo do të kthente jo vetëm, do të orientonte ekonominë në drejtimin e duhur por do të stabilizonte në mënyrë definitive konfliktet sociale dhe do të stabilizonte përfundimisht edhe situatën psikologjike te atyre që kërkojnë të kompensohem për pronën.

Zëri i Amerikës: Viti 2008 është thënë se është një vit shumë i mirë për kombin shqiptar. Ftesa për në Nato, pavarësia e Kosovës. Si i shikoni në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Bamir Topi: Ka qenë një gëzim i papërshkruar momenti kur Kosova u shpall si shtet i pavarur. Unë i kam kujtimet e freskëta sepse shumë pak para se të shpallej pavarësia e Kosovës kam qënë atje në një vizitë zyrtare. E njoh shumë mirë ndjeshmërinë e qytetarëve të Kosovës por mbi të gjitha kam vlerësuar maturinë dhe projeksionin euroatlantist të liderve të Kosovës të cilët e kanë projektuar shtetin e Kosovës si një shtet multietnik duke respektuar standartet ndërkombëtare të së drejtës. Besoj se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës do të jenë marrëdhënie mes dy shteteve fqinj, të dy shteteve miq, të dy shteteve vëllezër në një rajon i cili po largohet në mënyrë përfundimtare nga konfliktet e së kaluarës. Fakti që Kroacia, Shqipëria por besoj edhe që Maqedonia që nuk erdhi për një moment substencial por erdhi për çështje të emrit, krijojnë atë klimë që edhe Kosova, edhe Bosnja, pse jo në një të ardhme edhe Serbia e cila duhet të demokratizohet do të jenë pjesë e Natos, duhet të jenë pjesë e botës euroatlantike çka presupozon që të gjithë njerëzit të jetojnë të lirë, me standarte, të komunikojnë lirshëm, të jetë një bazë e rëndësishme për të shtuar investimet në Ballkan të ardhme më të mirë për vendet tona ku mund të ketë sesa në këtë familje të madhe dhe në këtë aleancë të madhe të paqes dhe sigurisë në botë. /rd//

XS
SM
MD
LG