Lidhje

Greqi - Skandali i peshëngritësve të akuzuar për doping


Në Greqi, një gjykatë u dha kohë deri muajin e ardhshëm 11 pjesëtarëve të ekipit të peshëngritjes për të përgatitur dëshmitë për prokurorin i cili po heton akuzat për përdorim substancash të ndaluara. Për shkak të këtyre akuzave, peshëngritja, sporti që dikur ishte simbol i krenarisë kombëtare greke, tani është kthyer në turp.

Autoritetet thonë se gjykata e ka pranuar kërkesën e peshëngritësve të akuzuar për përdorimin e substancave të ndaluara për t’u dhënë atyre më shumë kohë të përgatiten për dëshmitë të cilat u shtynë për datën dy maj.

Sipas rezultateve të testeve të zhvilluara me 7 mars në Athinë, peshëngritësit në fjalë kishin përdorur substanca të ndaluara, dhe tani pritet konfirmimi i rezultateve. Me urdhër të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes emrat e 11 atletëve të akuzuar, pjesëtarë të ekipit kombëtar grek prej 14 vetësh, nuk do të bëhen publikë deri sa testet e 7 marsit të konfirmohen nga Agjencia Botërore kundër Dopingut.

Skandali ka shkaktuar shumë zhurmë sidomos tani në prag të Lojërave Olimpike të Pekinit. “Ёshtë gjëja më e keqe që ka ndodhur në historinë e sportit grek. Ka rënë imazhi për sportin grek në të gjithë botën,” thotë gazetari sportiv Vasilis Galupis.

Ky skandal ka prekur sportin grek më shumë që nga koha kur dy atletët Katerina Tanu dhe Kostas Kenteris nuk morën pjesë në testin e dopingut para Lojërave Olimpike të vitit 2004 dhe u pezulluan për dy vjet.

Kristos Daras, doktor sportistësh, thotë se ajo që po ndodh në Greqi duhet të shihet e lidhur me ngjarjet në botë. “Ne shohim atletët në të gjithë botën që marrin substanca të ndaluara, dhe pastaj shohim që atletët tanë të kalibrit olimpik përpiqen të konkurojnë duke përdorur doping kundër atletëve të vendeve të tjera.”

Traineri i ekipit Iakovu ka mohuar që atletët të kenë bërë diçka të paligjshme, duke ia hedhur fajin suplementeve dietike të prodhuara nga një kompani farmaceutike kineze. Por ndërkohë, kriza vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e peshëngirtësve grekë në Lojërat e Pekinit.

“Nëse rezultatet e dyta e konfirmojnë marrjen e substancave, atëherë do të jetë shumë e vështirë të marrim pjesë,” thotë ministri grek i Kulturës, Majkëll Liapis. Pavarësisht nëse Greqia merr pjesë apo jo në Lojërat Olimpike shumë grekë ndjehen të turpëruar nga skandali i atletëve të tyre. //bsa//

XS
SM
MD
LG