Lidhje

Papa Benedikti i 16-të mbërriti në Uashington, pritet në aeroport nga familja Bush


Papa Benedikti i 16-të mbrriti në Shtetet e Bashkuara për vizitën e tij të parë që kur u zgjodh në postin e kreut të Kishës Katolike para gati 3 vjetësh. Gjatë udhëtimit nga Roma për në Uashington, Papa tha se ishte shumë i turpëruar nga skandali i abuzimit seksual që ka prekur kishën katolike në Amerikë. Në aeroportin e bazës së forcave ajrore Andrews, Papa u prit nga presidenti Bush, Laura Bush dhe e bija e tyre Xhena, hera e parë që presidenti pret një udhëheqës të huaj në aeroport.

Papa Benedikti mbërriti në bazën Andrews të forcave ajrore në periferi të Uashingtonit pasi kishte folur hapur rreth një prej çështjeve më të vështira, me të cilën ai përballet gjatë vizitës së tij të parë si Papë në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë udhëtimit nga Roma, Papa tha se skandali, që ka të bëjë me abuzimin seksual të fëmijëve nga priftërinj katolikë ka shkaktuar vuajtje të rënda për kishën në Amerikë dhe për atë personalisht.

Papa tha se i vjen shumë turp nga skandali, madje shtoi se këta abuzues të fëmijëve nuk duhen lejuar të jenë pjesë e predikimit fetar.

Kisha ka paguar të paktën 2 milion dollarë për viktimat e abuzimit dhe qindra priftërinj janë ndaluar të ushtrojnë këtë profesion.

Monsinjor Keven Irwin, dekan në fakultetin e Teologjisë në Universitetin Katolik, tha se do të kalojë një kohë e gjatë që plagët të shërohen.

“Asnjeri nuk mund ta zgjidhë këtë krizë. Do të duhet kohë e gjatë për të shëruar plagët, do të duhen shumë lutje dhe kapëcimi i një turpi të madh. Në një farë senci, kjo krizë e ka kthyer kishën në fillesat e saj. Ne duhet të jemi një kishë modeste dhe pelegrin”.

Presidenti Bush and Zonja e Parë Laura Bush bashkë me të bijën e tyre Xhena në një gjest të pazakontë, pritën Papa Benediktin në bazën e forcave ajrore, hera e parë që presidenti pret një udhëheqës të huaj atje.

Ndërkohë që Papa dhe presidenti Bush kanë pikpamje të ndryshme për çështje si lufta në Irak dhe dënimi me vdekje, ata kanë edhe pikpamje të njëjta si qëndrimi kundër abortit dhe martesës mes homoseksualëve. Ja si u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino.

“Presidenti Bush është shumë i kënaqur të presë këtu në Uashington shenjtërinë e tij. Dhe një prej arsyeve është se ata kanë pikpamje të njëjta për shumë vlera të përbashkëta”.

Pritja zyrtare për Papën e lindur në Gjermani do të bëhet sot kur mijëra njerëz do t’i urojnë atij mirëseardhjen në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë vizitës së tij 6-ditëshe, Papa do të mbajë mesha në stadiume të mëdha bejsbolli, do të flasë para Kombeve të Bashkuara, do të takohet me udhëheqës të ndryshëm fetarë dhe do të lutet në vendin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.

Xhejms Brenan është dekan i Universitetit Katolik.

“Mendoj se ai do të sjellë për gjithë amerikanët një mesazh shumë pozitiv të shpresës dhe dashurisë, që është edhe mesazhi esencial i Jezu Krishtit”.

Gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara, Papa Benedikti i 16-të do të kremtojë edhe dy ngajrrje të rëndësishme personale. Sot ai mbush 81 vjeç dhe të shtunën është 3 vjetori i zgjedhjes së tij si Papë. (ze)

XS
SM
MD
LG