Lidhje

Shqipëria cakton negociatorët për antarësimin në NATO


Qeveria shqiptare krijoi sot grupin negociator që do të drejtojë përmbushjen e detyrave për antarësim të plotë të Shqipërisë në NATO. Ky grup përbëhet nga ekspertë dhe diplomatë me përvojë që do të punojnë për të realizuar antarësimin e plotë në Aleancën Veri-Atlantike.

Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se vendi do të vazhdojë me këmbëngulje luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe reformat në fushën ekonomike, sociale, arsimore dhe në fushën e drejtësisë. Ai tha se Shqipëria do të marrë antarësimin e plotë në NATO më shpejt se ç’mendohet nga parashikimet.

“Ky proces i shumëpritur nga shqiptarët, i cili njohu kulmin e tij në Bukuresht me marrjen e ftesës, duhet të eci me shpejtësi për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga kjo ftesë, në mënyrë që ne të jemi të gatshëm për aktin e anëtarësisë të plotë në një kohë sa më të shkurtër. Nuk duhet të ketë asnjë lloj çështjeje nga pala shqiptare që ta vonojë qoftë edhe një ditë këtë proces madhor të historisë sonë” - tha zoti Berisha.

Antarësimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian është mbështetur fort si nga qytetarët ashtu edhe nga opozita e majtë. Partia Socialiste dhe forca të tjera opozitare po japin mirëkuptimin e tyre për kryerjen e disa reformave në sistemin zgjedhor dhe atë të drejtësisë. Pozita dhe opozita po kalojnë një periudhë të veçantë bashkëpunimi për të kryer reformat e kërkuara që zhvillojnë vendin dhe shpejtojnë integrimin euro-atlantik të tij. //kk//

XS
SM
MD
LG