Lidhje

Kandidatët Klinton dhe Obama debat në Pensilvani


Kandidatët demokratë për president, Barak Obama and Hillari Klinton kaluan në pozita mbrojtëse mbrëmë gjatë debatit të tyre në Filadelfia, që u transmetua nga kanali televiziv ABC, debati i tyre i fundit para zgjedhjeve paraprake të së martës në Pensilvani.

Toni i të dy kandidatëve ishte përgjithësisht i njerëzishëm, por pati edhe shkëmbime ngacmuese gjatë debatit rreth deklaratave që kanë bërë ata kohët e fundit dhe që u kanë krijuar probleme.

Senatori Obama tha se Senatorja Klinton i ka shfrytëzuar në maksimum komentet tij për acarimin e votuesve në një qytet të vogël të Pensilvanisë, të cilët mbështeten tek arma dhe feja për shkak të vështirësive të tyre ekonomike.


”Gjatë disa ditëve të fundit, ajo ka thënë se unë jam elitist, larg realitetit dhe përçmues. Dua ta bëj plotësisht të qartë se do të ishte shumë e vështirë për mua të jem përçmues ndaj besimtarëve sepse unë vetë jam besimtar dhe kam bërë më shumë se shumica e kandidatëve në këtë fushatë për të tërhequr veçanërisht besimtarët”.

Por edhe Senatorja Klinton u hodh në mbrojtje. Një votues e pyeti atë nëpërmjet një video për vizitën e saj të famëshme në Bosnje si zonjë e parë dhe pse ajo tha se kur shkoi atje i gjithë ekipi i saj u gjend nën zjarrin e snajperëve dhe vrapoi për t’u mbrojtur, ndërsar fragmentet filmike të atij episodi tregojnë se situata nuk ishte e tillë kur ajo mbërriti atje.

”Në nja dy raste në dy javët e fundit unë kam thënë gjëra që nuk ishin në përputhje me ralitetin. Më vjen turp për çfarë kam shkruar në libër lidhur me këtë ngjarje, por kam kërkuar të falur dhe e kam pranuar se ka qënë gabim. Dhe shpresoj që ju të më falni për këtë”.

Të dy kandidatët thanë për njeri tjetrin se janë të aftë të fitojnë ndaj kandidatit republikan, Senatorit Xhan Mekein, në zgjedhjet e përgjithëshme në muajin nëntor. Por nga ana tjetër ata iu shmangën zotimit se ai që fiton do t’i kërkojë tjetrit të vazhdojë garën me të për postin e nënpresidentit.

Zonja Klinton këmbënguli se ajo do të ishte një kandidate më e fortë për demokratët ndaj Senatorit Mekein sepse ajo u është kundërvënë sulmeve të republikanëve në të kaluarën.

"Do të dëshiroja që republikanët të kërkojnë të falur për katastrofën e viteve Bush-Çejni dhe të mos dalin me asnjë kandidat por të thonë se ka ardhur koha që demokratët të marrin përsëri Shtëpinë e Bardhë. Për fat të keq, nuk duket se ata janë të përgatitur ta bëjnë këtë dhe ne e dimë se ata do të përpiqen me të gjitha mjetet”.

Senatori Obama u kundërpërgjegj duke thënë se aftësia e tij për t’i bashkuar votuesit do ta bënte atë kandidatin më të mirë demokrat.

"Nuk ka asnjë dyshim se republikanët do të na sulmojnë secilin prej nesh. Por çfarë unë kam demonstruar gjatë votimeve paraprake është se unë janë i aftë ta përballoj goditjen. Unë kam përballuar disa goditje të forta edhe nga Senatorja Klinton”.

Të dy kandidatët demokratë folën edhe një herë për planet e tyre për të tërhequr trupat nga Iraku brenda një kohe të shkurtër pasi të vinë në Shtëpinë e Bardhë. Dhe të dy u shprehën ashpër ndaj Iranit, duke thënë se do të bënin çfarë të ishte e mundur për ta parandaluar atë që të shtinte në dorë armë bërthamore.

Zonja Klinton tha gjithashtu se do të ndërmerrte një fushatë të ashpër hakmarrjeje kundër Iranit, në qoftë se ai vend përdor armë bërthamore kundër Izraelit. Edhe Senatori Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të merrnin masat e përshtatëshme, siç u shpreh ai, në rrethana të njejta.

Senatorja Klinton vazhdon të udhëheqë në anketimet e opinionit në Pensilvani, të mbajtura para votimeve paraprake të së martës, por avancimi i saj nuk është aq i ndjeshëm në javët e fundit.

Senatori Obama vazhdon të udhëheqë për sa i përket numrit të përgjithëshëm të delegatëve për të fituar emërimin e Partisë Demokrate. Ndërkohë kanë mbetur edhe 10 gara të tjera deri në fillim të qershorit, kur përfundojnë votimet paraprake. Demokratët mbajnë kuvendin e partisë së tyre në fund të gushtit, ndërsa republikanët një javë pas tyre. //iç//

XS
SM
MD
LG