Lidhje

Irak: Vriten 50 vetë në një sulm vetëvrasës


Një sulm vetvrasës gjatë një ceremonie varrimi në Irakun verior shkaktoi vdekjen e të paktën 50 vetëve dhe plagosi të paktën 20 të tjerë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse të muajve të fundit.

Policia dhe personat që i shpëtuan sulmit thanë se autori i shpërthimit hodhi veten në erë në një fshat pranë Kirkukut, pasi hyri në një tendë ku ishin mbledhur njerëzit që merrnin pjesë në varrim. Ceremonia bëhej për dy pjesëtarë të një grupi lokal që luftonte forcat e al-Kaidës.

Dhuna është incidenti më i freskët në një valë shpërthimesh vdekjeprurëse këtë javë në zonat me arabë suni. Të martën, më shumë se 50 veta u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën nga sulmet në Bakuba dhe Ramadi.

Autoritetet ushtarake amerikane dhe ato irakiane fajësuan al-Kaidën për sulmet. Gjetkë, në lagjen Sadër të Bagdadit, zyrtarët thonë se kanë filluar përleshje të reja mbrëmë mes trupave dhe militantëve shiitë, ndërsa ushtria amerikane thotë se ka kryer një sulm ajror atje. Numri i viktimave nuk është konfirmuar ende.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rajs u tha gazetarëve sot në Uashington se al-Kaida në Irak dhe grupe të tjera kryengritëse suni janë dobësuar dukshëm, ndërkohë që autoritetet irakiane marrin nën kontroll qytetet ku kryengritësit kanë bazat e operacioneve të tyre.//lk

XS
SM
MD
LG