Lidhje

SHBA riafirmojnë mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Gjeorgjisë


Shtetet e Bashkuara riafirmuan edhe një herë të mërkurën, më 16 prill 2008, mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Gjeorgjisë pasi Rusia tha se po vendoste lidhje me dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i cilësoi veprimet e Rusisë për Abkazinë dhe Osetinë Jugore si “gabime politike”.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit po përpiqen të sqarojnë kuptimin e njoftimit të Rusisë lidhur me dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë. Por ndërkohë, Departamenti i Shtetit po thekson politikën amerikane në mbështetje të sovranitetit të Gjeorgjisë.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha dje se Presidenti Vladimit Putin i ka thënë udhëzime kësaj ministrie të njohë ligjishmërinë e disa dokumenteve të lëshuara nga autoritetet në Osetinë Jugore dhe Abkhazi, dhe të bashkëpunojnë me ta për tregtinë dhe çështje të tjera.

Ministria e Jashmte ruse thotë se ky veprim ka për qëllim mbrojtjen e interesave të banorëve të atyre rajoneve, duke përfshirë qytetarët rusë dhe kjo nuk do të thotë se Moska po zgjedh rrugën e konfrontimit me Gjeorgjinë.

Megjithatë, qeveria gjeorgjiane u mbodh për një sesion të jashtëzakonshëm dhe e quajti veprimin rus pjesë të procesi de fakto aneksimi në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Administrata e Presidentit Bush, e cila ka krijuar lidhje të ngushta me qeverinë e presidentit gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, u përgjegj në mënyrë të matur.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shan Mekormek nuk e kritikoi drejt për drejt veprimin e Rusisë, por theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin qeverinë e Tbilisit.

”Ne po vazhdojmë të shqyrtojmë se çfarë është duke propozuar Rusia. Por ndërkohë, do të doja të theksoja mbështetjen tonë të patundur për tërësinë teritoriale dhe sovranitetin e Gjeorgjisë”.

Një diplomat i lartë amerikan që komentoi me kusht që të mos përmendej me emër, e përshkroi veprimin e Rusisë si “gabim politik” dhe tha se beson se Moska është duke i “acaruar gjërat”, siç u shpreh ai.

Osetia Jugore dhe Abkhazia, që të dyja në kufi me Rusinë dhe me një numër të madh rusësh, e kanë kundërshtuar kontrollin e Tbilisit, që kur Gjeorgjia, ish republikë sovjetike, u bë e pavarur.

Moska njofton masat e saj lidhur me dy rajonet separatiste dy javë pasi NATO-ja e iritoi Moskën në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit pasi i ofroi Gjeorgjisë një plan për anëtarësim eventual në aleancë.

Rusia ka kundërshtuar gjithashtu njohjen nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kryesore të pavarësisë së Kosovës në muajin shkurt dhe paralajmëroi se një gjë e tillë mund të nxiste ndjenjat separatiste në vende si dy rajonet e Gjeorgjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, tha dje se hapat e Rusisë minojnë sovranitetin e Gjeorgjisë dhe i bëri thirrje Moskës t’i tërheqë.

Shefi i politikës së Jashtëme të Bashkimit Evropian , Havier Solana, pati një bisedë telefonike me Presidentin e Gjeorgjisë, Saakashvili, gjatë të cilës i shprehu shqetësimin e tij. //iç//

XS
SM
MD
LG