Lidhje

Grupi Ndërkombëtar për Kosovën: jo zgjedhjeve komunale serbe


Grupi Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, shprehu sot mbështetje për Misionin e Kombeve të Bashkuara i cili thotë se mbajtja e zgjedhjeve komunale serbe në Kosovë më 11 maj do të ishte shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Komentet u bënë në Vienë, në mbledhjen e këtij grupi që përbëhet nga 15 shtete dhe që do të vëzhgojë zbatimin e vendimit për pavarësinë. Grupi synon të nxisë qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës.

Në një njoftim për opinionin, grupi thotë se udhëheqësit e Kosovës kanë treguar maturi dhe vendosmëri në ndërtimin e institucioneve të shtetit të tyre të ri. Ai vlerëson gjithashtu përparimin e shënuar në zbatimin e planit Ahtisaari, sidomos miratimin e Kushtetutës së re nga Parlamenti.

Grupi drejtues shpreh ndërkohë keqardhjen për dhunën e kohëve të fundit në Kosovë ndaj personelit ndërkombëtar, që çoi në vdekjen tragjike të një polici të Kombeve të Bashkuara më 17 mars. Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet apo deklarimet provokuese, thuhet në njoftim.

Grupi mbështet gjithashtu UNMIK-un në qëndrimin e tij kundër zgjedhjeve komunale serbe në Kosovë, dhe shprehet kundër çdo ndarjeje institucionale në baza etnike.//ii

XS
SM
MD
LG