Lidhje

Obama, Klinton në zgjedhjet paraprake në shtetin e Pensilvanisë


Në shtetin lindor të Pensilvanisë, po zhvillohen votime -gara më e rëndësishme për të përcaktuar se kush do të jetë kandidati i Partisë Demokrate për president. Senatorja Klinton, e cila duket se ka epërsi në këtë shtet duhet të fitojë dukshëm për t’iu afruar rivalit të saj, senatorit Barak Obama. Nga ana tjetër, zoti Obama po përpiqet të vendosë statusin e tij si kandidati kryesor për emërimin demokrat. Ish zonja e parë gëzonte fillimisht një epërsi prej 20 pikësh në anketa, por zoti Obama e ka ngushtuar mjaft këtë diferencë gjatë javëve të fundit.

Pas gjashtë javësh fushate, votuesit në shtetin e Pensilvanisë më në fund kanë rastin të thonë fjalën e tyre. Pjesëmarrja në votimet paraprake pritet të jetë e gjerë për garën që mund të vendosë fatin e fushatës dhe të presidencës për Hillari Klinton. Zonja Klinton ka mbetur pas senatorit Obama në numrin e delegatëve që do të miratonin kandidaturën e saj në kuvendin e partisë demokrate në gusht.

Senatorja Klinton e vazhdoi fushatën deri në minutën e fundit në përpjekje për të fituar ata pak votues të lëkundur. “Kjo ka qenë si një intervistë për punë – intervista më e gjatë në botë. Por tani po i afrohemi vendimit përfundimtar. Kanë mbetur dy kandidatë për emërimin e Partisë Demokrate. Dhe unë dua që ju të shihni arritjet e tyre.”

Ndërkohë, senatori Obama, duke iu përgjigjur një reklame televizive të zonjës Klinton ku shfaqeshin pamje nga Pearl Harbour, Muri i Berlinit dhe Osama bin Laden, e përfundoi ditën e fundit të fushatës me këto fjalë: “Kanë mbetur tre kandidatë. Cili doni që t’i përgjigjet çështjeve më urgjente? Ai që gaboi për çështjen e Irakut, apo ai që nuk gaboi? Ai që i analizoi me kujdes informacionet e zbulimit, apo ai që nuk i kushtoi vëmendje?”

Zonja Klinton ka mbetur pas zotit Obama në financimet e fushatës, megjithatë ajo po lufton shumë për një fitore të thellë në shtetin e Pensilvanisë i cili ka 158 delegatë. Senatorja Klinton do t’i presë rezultatet e votimeve paraprake me përkrahësit e saj në Pensilvani, ndërsa zoti Obama në shtetin e Indianës. //bsa//

XS
SM
MD
LG