Lidhje

Gjeorgjia kërkon forca shumëkombëshe në rajonet separatiste 


Presidenti i Gjeorgjisë Mihail Sakashvili thotë se do të kërkojë mbështetjen e vendeve perëndimore për përpjekjet e tij që paqeruajtësit rusë, të dislokuar në dy rajonet separatiste në Gjeorgji, të zëvendësohen nga forca ndërkombëtare.

Në një fjalim të transmetuar nga televizioni, zoti Sakashvili e cilësoi praninë e forcave ruse në Abkazi dhe Osetinë Jugore si faktor kërcënues. Ai tha se do t'u kërkojë vendeve mike të Gjeorgjisë të mbështesin përpjekjet e saj për të mundësuar këtë ndryshim.

Dje Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Rusisë të heqë dorë nga planet për të forcuar lidhjet me dy rajonet separatiste. Katër vendet perëndimore i shprehën pikëpamjet e tyre në një deklaratë, ku ritheksonin angazhimin e tyre për sovranitetin e Gjeorgjisë.

Deklarata pasoi takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me situatën, të cilët Gjeorgjia e cilësoi si “aneksim de facto” nga Rusia dhe shkelje e normave ndërkombëtare. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin tha se veprimet e vendit të tij nuk përmbajnë asnjë akt anti-gjeorgjian dhe hodhi poshtë akuzat për thyerjen e ligjit ndërkombëtar.//lk

XS
SM
MD
LG