Lidhje

Frid, Fata i raportojnë Kongresit për NATO-n dhe tensionet Rusi-Gjeorgji


Zyrtarë të administratës së Presidentit Bush u pyetën të mërkurën nga ligjvënësit amerikanë rreth një sërë problemesh me të cilat përballet NATO-ja, ku përfshihen dhe hapat për zgjerimin e aleancës, rolin e NATO-s në Afganistan si dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

Anëtarë të Kongresit u kërkuan zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atij të Mbrojtjes shpjegime të detajuara për ato që u arritën në takimin e fundit të nivelit të lartë të NATO-s në Bukuresht.

Ndihmës sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën dhe Euroazinë, Daniel Frid, nënvizoi pika të rëndësishme të cilat administrata tashmë i ka theksuar, duke përfshirë forcimin e rolit të NATO-s në Afganistan dhe Kosovë dhe një angazhim zyrtar për anëtarësimin në të ardhmen në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrahinës.

Rreth Afganistanit, zoti Frid tha se ndonëse NATO-ja nuk bëri që në fillim një vlerësim të saktë të sfidave ose taktika efektive kundër kryemgritësve, aleanca e ka kuptuar gabimin.

Ai u përgjigj në këtë mënyrë kur kryetari i nën-komisionit për Marrëdhëniet me Evropën, Robert Uaksler, e pyeti rreth një deklarate të Antoni Kordsmanit, një ekspert i mirënjohur për mbrojtjen, i cili thoshte se pretendimet e NATO-s për progres në rastin më të mirë janë për të fituar kohë dhe në atë më të keq, një paralajmërim për dështim.

“Duke perifrazuar zotin Kordsman, nuk mendoj se është problemi për të fituar kohë përpara se të shkohet në kaos. Do të thoja se pyetja shtrohet se sa shpejt mund t’i kuptojmë ne gabimet dhe sa shpejt do të marrim masa për të koregjuar situatën”.

Zv. sekretari i Mbrojtjes për Politikat me NATO-n dhe Evropën, Dan Fata, tha se NATO-ja ra dakord se siguria ndërkombëtare Euro-Atlantike dhe më gjerë janë të lidhura me stabilitetin e Afganistanit dhe të së ardhmes së tij demokratike.

Zoti Fata theksoi pothuajse dyfishimin e forcave të NATO-s që nga viti 2006 kar NATO-ja mori përgjegjësinë kryesore për Forcat Ndërkombëtare të Sigurimit në Afganistan.

Por ai shtoi se numri i forcave të NATO-s ende është më i vogël në krahasim me ato që komandantët amerikanë besojnë se nevojiten dhe në çfarë rrethanash mund të përdoren forcat e NATO-s.

“Kemi parë një rënie të kërkesave të nevojshme, por vazhdojnë të shfaqen disa probleme si mospasja e pajisjve të duhura, e trajnimeve të nevojshme, shqetësime për politikën e brendëshme që vazhdojnë të krijojnë të njejtat situata”.

Të dy zyrtarët vlerësuan rëndësinë e deklaratës përfundimtare të NATO-s në takimin e nivelit të lartë të Bukureshtit që Ukraina dhe Gjerogjia në të ardhmen do të bëhen anëtare të NATO-s.

Përsa u përket tensioneve midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, zoti Frid tha se Washingtoni është shumë i shqetësuar rreth hapave të ndërmarra nga Moska për krijimin e lidhjeve më të ngushta me Abkazinë dhe Osetinë Jugore, dy krahinave separatiste në Gjerogji.

“Ne nuk pajtohemi me tensionet që shohim dhe që kanë lindur prej kohësh midis Gjeorgjisë dhe Rusisë dhe shpresojmë që Rusia të veprojë duke u mbështetur në deklaratën e saj politike për respektimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë dhe një zgjidhje paqësore të këtyre konflikteve”.

Përpara bisedimeve të djeshme me Ministrin e Jashtëm të Gjeorgjisë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, tha se ajo diskutoi me Rusinë mbi shumë probleme, duke shtuar se ky problem duhet të zgjidhet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Në dëshiminë e tij në Kongres, ndihmës sekretari Frid tha se NATO-ja do të vazhdojë të punojë për pakësimin e divergjencave me Rusinë, ndërkohë që vuri theksin mbi interesat e përbashkëta si ajo e mos përhapjes së armeve dhe lufta kundër terrorizmit.

Sidoqoftë, tha zoti Fried, NATO-ja do të vendosë si të jetë më mirë për aleancën dhe për sigurinë Euro-Atlantike në përgjithësi. //iç//

XS
SM
MD
LG