Lidhje

Gjeneral Petreas emërohet në krye të Komandës Qendrore


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, emëroi komandantin e trupave amerikane në Irak, gjeneralin Dejvid Petreas, të udhëheqë Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara, që mbikqyr luftërat në Irak dhe Afganistan, si dhe operacionet ushtarake dhe bashkëpunimin në fushën e sigurimit në Lindjen e Mesme, në Azinë Qendrore dhe në Afrikën Lindore.

Ky emërim nuk ishte i papritur, por ai konfirmoi dëshirën e Sekretarit Gejts për vazhdimësinë e strategjisë amerikane në Irak dhe zgjerimin e saj në Afganistan për të shënuar atë sukses që administrata thotë se gjenerali Petreas shënoi në Irak.

"Konfliktet që ne kemi përballë jo vetëm në Irak por edhe në Afganistan, dhe disa nga sfidat që ndeshim gjetkë në rajon, në zonën e kontrollit të Komandës Qendrore, karakterizohen ndjeshëm nga asimetria e luftës guerrilase. Unë nuk njoh asnjë ushtrak tjetër në Shtetet e Bashkuara që të jetë më i kualifikuar për ta udhëhequr këtë përpjekje”.

Sekretari Gejts njoftoi gjithashtu se ish zëvendësi i gjeneralit Petreas në Irak, gjeneral lejtnanti Raimond Odierno, do ta zëvendësojë atë, edhe pse ai ka vetëm dy muaj që është kthyer nga Iraku, shumë më pak nga periudha një vjeçare që parashikohet mes dy shërbimeve.

Sekretari Gejts u pyet nëse këto lëvizje pasqyrojnë strategjinë “t’i përmbahemi kursit”, politikë që e dëmtoi Partinë Republikane të Presidentit Bush në zgjedhjet e 2006. Zoti Gejts la të kuptohet se gjërat kanë ndryshuar, që kur gjenerali Petreas u dërgua në Irak në fillim të vitit të kaluar, përfshirë edhe shtimin e përkohëshëm të forcave amerikane dhe strategjinë e re kundër kryengritësve.

"Sigurisht kursi që ka përcaktuar gjenerali Petreas ka qënë i suksesshëm. Jua them sinqerisht, se jami bindur se po t’i përmbahemi atij kursi nuk është ide e keqe. Madje do të thosha se është një ide e mirë”.

Sekretari Gejts tha se gjenerali Petreas do të qendrojë në Irak edhe për disa muaj, deri sa të përfundojë procesi i miratimit të emërimit të tij nga Senati. Ai tha se fakti që gjenerali do të vazhdojë të mbikqyrë luftën në Irak nga posti i tij i ri, do të thotë se ai do të jetë i lidhur ngushtë me vlerësimin që do t’i bëjnë komandantët amerikanë në gusht dhe shtator gjendjes në vend, pasi sandejmi të jetë larguar edhe kontigjenti i fundit i trupave shtesë. Në bazë të këtij vlerësimi do të vendoset kur do të tërhiqen forca të tjera dhe sa prej tyre.

Në dëshminë para komisioneve të Kongresit këtë muaj, gjenerali Petreas kërkoi që të kishte një periudhë 45-ditore vlerësimi dhe paralajmëroi kundër tërheqjes së forcave amerikane me nxitim.

"Ne nuk kemi përmbysur ende çdo gjë. Nuk e kemi parë ende dritën në fund të tunelit. Shishja e shampanjës është ende thellë në frigorifer. Dhe përparimi, megjithëse është real, është delikat dhe i kthyeshëm”.

Në Komandën Qendrore, gjenerali Petreas do të zëvendësojë admiralin Uiliam Fallon, i cili njoftoi gjashtë javë më parë se do të dalë në pension. Në një artikull të botuar në revistën “Eskuajër” muajin e kaluar, thuhej se admirali Fallon u ishte kundërvënë shumë njerëzve në administratën e Presidentit Bush, të cilët, sipas revistës, donin të hynin në luftë në Iran. Zyrtarët e administratës i kanë hedhur poshtë këto komente duke thënë se nuk ka patur divergjenca qenësore me admiralin.

Dje, Sekratari Gejts tha se të gjithë komandantët amerikanë të angazhuar në Irak, duke përfshitë gjeneralin Petreas dhe admiralin Fallon, kanë të njetën pikpamje për Iranin.

"Ky është një pozicion i vështirë sepse në fakt iranianët po vrasin forcat amerikane të mobilizuara në Irak”.

Zyrtarët amerikanë thonë se forcat kuds të Iranit, një forcë elite e Gardës Revolucionare të vendit, mbështesin kryengritësit shiitë me fonde, sërvitje dhe teknologji për bomba të fuqishme që vendosen nëpër rrugë.

Në njoftimet e djeshme përfshihen gjithashtu edhe tërheqja e emërimit të gjeneralit Odierno për postin e zëvendës shefit të Shtatmadhorisë amerikane. Për këtë post, zoti Gejts emëroi një tjetër nënkomandant nga ata në Irak, gjeneral lejtnantin Peter Chiarelli, i cili ka qënë kryekëshilltari ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gejts. //iç//

XS
SM
MD
LG