Lidhje

Ligjvënësit analizojnë dyshimet për bashkëpunim bërthamor Damask - Phenian


Zyrtarë amerikanë të zbulimit do t’u paraqesin të enjten ligjvënësve në kongres prova për të cilat qeveria thotë se tregon bashkëpunimin bërthamor mes Koresë së Veriut dhe Sirisë.

Kreu i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Majkëll Hejden, do të jetë mes zyrtarëve që do të raportojë para ligjvënësve në dhomën e përfaqësuesve dhe senatit.

Zyrtarët amerikanë thanë se ligjvënësit do të kenë rastin të shohin një video të koreanoveriorëve duke punuar në një objekt në Siri, i cili dyshohet si reaktor bërthamor. Videoja tregon gjithashtu se lloji i reaktorit është identik me reaktorin bërthamor të Koresë së Veriut në Jongbion.

Vendi ku dyshohet se ishte reaktori bërthamor u bombardua nga aeroplanë izraelitë shtatorin e kaluar. Damasku protestoi ndaj operacionit ajror, duke e akuzuar Izraelin për agresion.

Të mërkurën në Kombet e Bashkuara, ambasadori sirian Bashar Xhafari i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se nuk ekzistonte bashkëpunim bërthamor mes Damaskut dhe Phenianit në Siri.

Seancat zhvillohen ndërkohë që administrata e presidentit Bush përpiqet të arrijë një marrëveshje me Phenianin për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor. //bsa//

XS
SM
MD
LG