Lidhje

Frid: Futja e Shqipërisë, Kroacisë në NATO konsolidon sigurinë në Ballkan


Në një seancë të zhvilluar të mërkurën në Kongresin amerikan, zyrtarë të lartë të administratës theksuan se zgjerimi i Natos me dy vendet ballkanike, Shqipërinë dhe Kroacinë, do të shtojë qëndrueshmërinë në rajon. Por gjatë seancës së nënkomisionit për Evropën zyrtarët shprehën shprehën zhgënjimin që Maqedonia nuk arriti të marrë ftesë dhe folën për sfidat e aleancës në të ardhmen.

Nënsekretari i Departamentit të Shtetit, Daniel Fried tha se takimi i Bukureshtit përforcoi idenë e shndërrimit të NATO-s, në një aleancë misioni i së cilës sot po zgjerohet për të përballuar sfidat e reja.

“Zgjerimi i NATO-s është një nga nismat më të suksesshme të marra me udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në Evropën e pas Luftës së Ftohtë. Futja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO do të konsolidojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkan. Që të dyja janë vende kontribuese të vlefshme në misionet e NATO-s”.

Zyrtari i lartë amerikan shprehu zhgënjimin që nuk u arrit të ftohej edhe Maqedonia dhe tha se Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Zoti Fried theksoi si një nga drejtimet më të rëndësishme të kontributit të NATO-s, është Kosova. Misioni i KFOR-it atje, tha ai, është kritik, jo vetëm për NATO-n, por edhe për Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Duhet ta ruajmë vendosmërinë e përbashkët përballë provokimeve të ardhshme dhe përpjekjeve të aktorëve të jashtëm për nxitjen e dhunës. Është veçanërisht e rëndësishme që OKB-ja dhe BE-ja të vazhdojnë të luajnë një rol të fuqishëm dhe stabilizues në Kosovë dhe për një tranzicion gradual nga UNMIK-ut tek misioni i BE-së”.

Si anëtarët e Kongresit, ashtu edhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe të Mbrojtjes të ftuar në seancë ishin dakord që zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të krijojë qëndrueshmëri në rajon.

Robert Wexler, kreu i nënkomisionit për Evropën i cilësoi ftesat për Kroacinë dhe Shqipërinë si një nga arritjet më të mëdha të takimit të Bukureshtit.

Ai tha se kishte shpresuar që çështja e emrit të Maqedonisë të ishte zgjidhur, në mënyrë që edhe ajo të kishte marrë ftesë për anëtarësim.

Por ndërsa ftesat për Shqipërinë dhe Kroacinë ishin një nga arritjet e takimit të NATO-s, si ligjvënësit ashtu edhe zyrtarët bien dakord se alenca ka sfida të mëdha përpara. Anëtarët e Kongresit shprehën shqetësimin për mospërputhjen mes qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë për çështje të tilla si procesi i afrimit me NATO-n për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, marrëdhëniet me Rusinë, të ardhmen e sistemit të mbrojtjes nga raketat dhe misionin në Afganistan. //kk//

XS
SM
MD
LG