Lidhje

BE shpreh shqetësime për huanë shtetërore ndaj Alitalias


Zyrtarë të Bashkimit Evropian po ngrenë shqetësime lidhur me një hua të madhe shtetërore për kompaninë kombëtare ajrore të Italisë, e cila kohët e fundit ka ndeshur me vështirësi financiare. Zëdhënësi i Komisionit Evropian u tha sot gazetarëve se zyrtarët po e shqyrtojnë me kujdes huanë për Alitalian, sepse ajo mund të përbëjë shkelje për rregulloren që ka të bëjë me ndihmat shtetërore.

Rregullat e Bashkimit Evropian e kufizojnë ndihmën shtetërore që mund t’u jepte kompanive që janë në vështirësi financiare një avantazh të padrejtë ndaj kompanive konkurrente. Linja ajrore irlandeze Ryanair ka paraqitur tashmë një ankesë për këtë çështje, por zyrtarët italianë thonë se huaja është plotësisht e ligjshme, për arsye se ajo ofrohet sipas rregullave tregtare.

Kryeministri italian Romano Prodi, të cilit po i përfundon mandati, miratoi një hua prej 473 milionë dollarësh për Alitalian në fillim të javës, për të shpëtuar linjën ajrore nga falimentimi. Komisioni Evropian më parë ka thënë se Alitalia, sipas ligjit, nuk duhet të marrë një ndihmë shtetërore shtesë, para vitit 2011. //kk//

XS
SM
MD
LG