Lidhje

Tre deputetë shqiptarë vizitojnë Kongresin amerikan


Tre deputetë të kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, Arta Dade dhe Arian Starova, anëtarë të komisionit për punët e jashtme, vizituan dje zyrat e Kongresit amerikan për diskutime që u përqendruan tek sfidat që e presin vendin pas marrjes së ftesës për në NATO.

Deputetët shqiptarë u pritën nga dy anëtarë të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve: Robert Ueksler, i cili shërben prej 10 vjetësh në këtë komision dhe aktualisht kryeson nënkomisionin për Evropën, dhe Eliot Engel, anëtar i nënkomisionit për Evropën, i njohur njëkohësisht për interesimin e veçantë që tregon për çështjet e shqiptarëve në Ballkan.

Parlamentarët shqiptarë përpiqen të hyjnë në shkëmbime pune me homologët e tyre amerikanë dhe ky është një ndër qëllimet e kësaj vizite. Sfidat pas ftesës për pranimin në NATO ishin njëra prej temave të takimeve: "Diskutuam kryesisht për detyrat e Shqipërisë pas marrjes së ftesës për anëtarësim si dhe për problemet e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në diskutim pati vend edhe problematika e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Marrëveshja për reformën zgjedhore e arritur mes dy partive më të mëdha në Shqipëri ishte një ngjarje e pazakontë në marrëdhëniet zakonisht të tensionuara pozitë-opozitë në Shqipëri."

Zoti Preç Zogaj, komentoi kështu për marrëveshjen e arritur: "Marrëveshja ka një qëllim madhor, ajo synon të thjeshtojë jetën politike në Shqipëri, në kuptimin e mirë të fjalës dhe të krijojë rregulla loje më të qarta dhe të evitojë fenomenet e deformimit të votës, si i ashtuquajturi fenomen i Dushkut."

Nënkryetarja e komisionit të politikës së jashtme Arta Dade, e Partisë Socialiste, thotë se marrëveshje të tilla nuk ka pse të jenë të rralla në jetën e partive politike: "Kjo është një marrëveshje e pazakontë në Shqipëri por praktikisht është dukuri normale në jetën e parlamenteve dhe në jetën politike të vendeve me demokraci sikurse ndodh edhe këtu në Shtetet e Bashkuara. Kam dëgjuar sot kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi e cila së bashku me udhëheqësin e republikanëve në Kongres merren vesh për çështje të energjisë apo çështje të tjera madhore që shqetësojnë gjithë botën."

Zonja Dade u përpoq të zbutë dyshimet për marrëveshje të fshehtë mes të mëdhenjve, dyshime të shprehura nga partitë më të vogla aleate të socialistëve, si Lëvizja Socialiste për Integrim. "Sigurisht janë spekulime për marrëveshje të fshehura apo aq më keq marrëveshje në kurriz të partive më të vogla. Personalisht nuk do t’i konsideroja parti të vogla apo të mëdha sepse secila parti ka një shans tani të konfirmojë peshën që ka në elektorat dhe janë të gjithë të lirë të marrin pjesë dhe të mbledhin votat që ata mendojnë se mund t’ua japë elektorati. Unë do të dëshiroja që partitë e vogla të sillen si parti të mëdha."

Arian Starova, sekretar i komisionit të politikës së jashtme, president i Këshillit të Atlantikut Verior dhe përfaqësues i një partie të vogël në parlament e përshëndet marrëveshjen mes dy lojtarëve kryesorë të politikës shqiptare. Ai thotë se përsa i përket objektivave strategjikë të vendit, forcat politike vazhdimisht kanë gjetur konsensus. "Të gjitha partitë e spektrit politik shqiptar, të majta, të djathta apo të qendrës, kanë treguar se jo sot, por që nga fillimi i viteve 90 kanë patur një konsensus të plotë dhe madje shumë të vetdijshëm lidhur me objektivat tona strategjike në këtë rrugë drejt integrimeve të mëdha euroatlantik. Jemi me fat se njëra nga këto integrime tashmë e nisëm konkretisht me një ftesë të marrë në Bukuresht dhe nuk ka asnjë arsye që ky konsensus midis dy partive të mëdha të mund të prishet sepse mendoj se kur bëhet fjalë për integrime të tilla nuk ka asnjë element interesi i cili shkon kundër partive apo kundër atyre që përfaqëson secila nga partitë."

Deputetët nga Shqipëria patën gjithashtu takime në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin e Aleancës së Atlantikut të Veriut. //bsa//

XS
SM
MD
LG