Lidhje

Presidenti Topi: Prokuroria po punon me profesionalizëm


Presidenti Bamir Topi deklaroi se prokuroria po punon me korrektesë dhe profesionalizëm. Ai hodhi poshtë në këtë mënyrë komentet e ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili një ditë më parë pohoi se hetimi për ngjarjen e Gërdecit ishte i njënashëm dhe tendencioz kundër tij.

Zoti Topi kërkoi që puna e prokurorisë të mos politizohet dhe të mos paragjykohet, sic kanë bërë politikanët gjatë gjithë tranzicionit. Ai tha se tani po kthehet besimi tek ky institucion gradualisht, sepse ligji po zbatohet me profesionalizëm.

Ndërsa kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, tha se kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu, do të shqyrtohet në bazë të procedurave të zakonshme. Ajo kujtoi se maxhoranca aktuale qysh në vitin 2005 propozoi heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët, për të rritur integritetin dhe pastërtinë e figurës së tyre në ballafaqimin me drejtësinë.

Sasi të mëdha materialesh ushtarake shpërthyen një muaj e gjysëm më parë në një qendër çarmatimi në fshatin Gërdec pranë kryeqytetit, ku humbën jetën 25 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. //rd//

XS
SM
MD
LG