Lidhje

Përparimi teknologjik ndihmon shfrytëzimin e energjisë diellore


Shumë centrale elektrike djegin qymyr ose gaz natyror për të prodhuar avuj që më pas gjenerojnë elektricitet. Por energjia mund të prodhohet edhe nga një burim i pastër dhe i ripërtëritshëm, siç është energjia diellore.

Las Vegasi është qytet dritash. Shumë nga energjia që përdoret për to vjen nga nafta, gazi apo qymyri, të cilat janë të shtrenjta, gjenden në sasi të kufizuar dhe ndotëse. Në shkretëtirën pranë, një central i ri energjie ushqehet nga një burim energjetik i pastërt që është falas dhe që nuk mbaron kurrë. Centrali quhet Nevada Solar One.

Manaxheri i saj Bob Kejbëll thotë se bëhet fjalë për një central diellor me energji të koncentruar. “Energjinë e grumbullojmë përmes pasqyrave. Struktura e madhe parabolike me pasqyra e përqëndron energjinë e saj në një vatër të tubit marrës dhe kjo nxeh masën e lëngët që transferon nxehtësinë deri në 390 gradë celcius.”

Zoti Kejbëll thotë se lënda e lëngët më pas nxeh ujin dhe krijon avullin që vë në lëvizje një turbinë dhe gjeneron elektricitet. Ai thotë se me energjinë e koncentruar diellore, kjo shkretëtirë prej 120 hektarë toke prodhon energji të mjaftueshme për 14 mijë familje.

Eksperti i energjisë diellore në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Përtëritshme në Kolorado, Mark Mehos thotë se zona jugperendimore e Shteteve të Bashkuara ka shumë sipërfaqe të hapura, të sheshta dhe me diell për të prodhuar energji të pastër dhe të ripërtëritshme. "Me këtë pozicionim optimal, mund të furnizojmë 10 herë më shumë nga kapaciteti që përdoret nga Shtetet e Bashkuara."

Zoti Mehos thotë se energjia diellore e përqëndruar ka potencial të ngjashëm kudo ku ka shumë diell, si në Spanjë, Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Por, shton ai, energjia diellore në mbarë botën mbulon aktualisht më pak se një përqind të energjisë së konsumuar. Për të prodhuar më shumë, ajo duhet të kushtojë më pak.

Pikërisht për këtë arsye Sheril Kenedi, një tjetër shkencëtare në Laboratorin Kombëtar të Energjisë së Ripërtëritshme po punon për të ulur konston e pasqyrave diellore të paktën përgjysëm. "Do të donim një pasqyrë perfekte që të mos prishej kurrë, që të mos kushtonte dhe peshonte asgjë dhe që të mos grumbullonte papastërti."

Përsa i takon tubave përcjellës, zonja Kenedi thotë se ata japin rezultate më optimale kur nuk ndryshken ose gërryhen. "Tubat dhe pasqyrat janë pothuajse gjysma e kostos së centralit dhe ne duam të ulim çmimin e secilës prej tyre. Kur perëndon dielli, centrali pushon së fuksionuari. Për të punuar gjatë natës, ai ka nevojë për mënyra me kosto të ulët për të depozituar materien e lëngshme të nxehur nga dielli."

Mark Mehos thotë se idea është e thjeshtë. "Kemi nevojë për një xhezve gjigande kafeje dhe kafenë pastaj ta kalojmë në një termus. Por termusi gjigand për të depozituar energjinë e përqëndruar diellore duhet të jetë i rezistent."

Zoti Mehos thotë se një nga mjediset më të mira për ruajtjen e nxehtësisë është kripa e shkrirë, por kripa është gërryese. Ai thotë se sapo shkencëtarët të gjejnë mënyrën për të mënjanuar këtë difekt, do të rritet numri i centraleve që operojnë gjatë natës. "Nëse e arrijmë këtë objektiv për të pakësuar koston e depozitimit termal, së bashku me këta komponentë të tjerë, centralet me energji diellore do të përdoren gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën."

Një kopmani spanjolle, ACCIONA, drejton centralin Nevada Solar One dhe shumë nga centralet që janë tani në ndërtim e sipër. Spanja udhëheq përpjekjet qeveritare për këtë teknologji. Zoti Mehos thotë se ai shpreson se Shtetet e Bashkuara do të investojnë më shumë për të shpejtuar kalimin në energjinë e pastërt diellore. //ad//

XS
SM
MD
LG