Lidhje

Prishtina zyrtare reagon ndaj marrëveshjes BE – Serbi


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha sot se institucionet e Prishtinës nuk janë kundër nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, por ka bërë thirrje që kësaj të fundit të mos i bëhen lëshime kundruall Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me Drejtorin për Çështje të Politikës Evropiane në Ministrinë e Jashtme britanike, Anthony Smith me të cilin bisedoi edhe rreth periudhës kalimtare në Kosovë. Presidenti Sejdiu tha se Kosova është e interesuar që tërë rajoni të lëvizë në proceset e integrimeve, në këtë rast edhe Serbia. “Por Serbia të mos ketë iluzione të ndërhyrjeve të saj në Kosovë dhe ta mbajë tensionin sikur është duke tentuar vazhdimisht me struktura të formave të ndryshme. Mendoj se qasja evropiane është një ofertë normale në kuptimin e lëvizjes pozitive të vendeve të rajonit, por asnjëherë shmangie në konceptin që ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Parlamenti kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Kundër përzierjes së Serbisë në punët e Kosovës është shprehur sot edhe parlamenti i vendit i cili në vend të një rezolutë të paralajmëruar miratoi një deklaratë të shkurtër me të cilën kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve komunale të Serbisë në Kosovë.

Beogradi ka paralajmëruar se më 11 maj, do të organizojë zgjedhjet parlamentare e lokale edhe në Kosovë me gjithë kundërshtimin e institucioneve vendase e ndërkombëtare. Serbia nuk është pajtuar me pavarësinë e Kosovës dhe as me planet për vendosjen e misionit të ri të Bashkimit Evropian në vend që duhet të mbikëqyrë procesin e zbatimit të statusit.

Britania dërgon 600 trupa shtesë në Kosovë

Drejtori politik në Ministrinë e jashtme britanike Anthony Smith tha sot se mbikëqyrja ka kuptimin e mbështetjes së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj. Sfidat e kalimit nga periudha aktuale në atë që po vjen janë të ndërlikuara dhe të pa sprovuara deri tani, u shpreh ai. “Ka shumë punë për të bërë, ka një kuadër kohor por duhet të sigurohemi se gjërat do të funksionojnë dhe ka diskutime të vazhdueshme në Bashkimin Evropian dhe në Kombet e Bashkuara”, tha zoti Smith.

Ai shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj Kosovës. Britania ka rënë dakord me NATO-n për vendosjen e 600 trupave shtesë gjatë muajit të ardhshëm të cilët do të qëndrojnë në Kosovë deri në muajin qershor. Paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe në veçanti paqartësitë rreth periudhës kalimtare deri më 15 qershor kur duhet të hyjë në fuqi kushtetuta e Kosovës, ka shtuar shqetësimet për sigurinë në Kosovë ku ndarjet etnike vazhdojnë të jenë mjaft të thella. //ii

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG