Lidhje

Çështja e racës kthehet përsëri në qendër të fushatës presidenciale


Marrëdhëniet e pretendentit demokrat për kandidat presidencial Barack Obama me ish priftin e tij, Jeremiah Wright, ka tërhequr vëmendjen tek çështja e racës në fushatën për president të Shteteve të Bashkuara.

I përndershmi Wright u rishfaq në skenë ditët e fundit duke tronditur fushatën e zotit Obama. Zoti Wright po u del në mbrojtje shumë prej deklaratave të tij të debatueshme, përfshi thënien se politika e jashtme shtypëse e Shteteve të Bashkuara ishte shkaktarja e sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe se qeveria krijoi virusin e Sidës për të kryer gjenocid kundër afrikano-amerikanëve. Zoti Wright i tha gjithashtu një audience në Uashington këtë javë se ai nuk do të fshihet në prapaskenë nëse zoti Obama fiton postin e presidentit.

“Unë jam prift, ai është anëtar i kishës. Unë nuk jam një këshilltar shpirtëror. Dhe i thashë Barak Obamës vitin e kaluar - në se zgjidhesh president më 5 nëntor do të të vij pas, pasi t’i do të përfaqësosh një qeveri, politikat e të cilës shtypin njerëzit. Kjo ka të bëjë me politikën dhe jo me popullin amerikan”.

Të martën, zoti Obama tha se ishte i skandalizuar dhe i dëshpëruar nga komentet e pastorit të tij, të cilat ai i quajti përçarëse dhe shkatërruese.

“Kur deklaron dhe përforcon mendime të tilla qesharake si ajo se qeveria amerikane është e përfshirë në përhapjen e Sidës, kur ai barazon përpjekjet e luftës së Shteteve të Bashkuara me terrorizmin, atëherë nuk ka më asnjë justifikim. Deklarata të tilla më ofendojnë mua, dhe me të drejtë ofendojnë të gjithë amerikanë dhe duhet të denoncohen”.

Përqëndrimi i vëmendjes përsëri tek pastori Wright vjen në një kohë kritike në luftën e gjatë dhe të egër për kandidatin e Partisë Demokrate për president mes zotit Obama dhe rivales Hillari Klinton. Zoti Obama vazhdon të jetë përpara për nga numri i delegatëve dhe të dy pretendetët kanë një provë të madhe të martën e ardhshme në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Veriut dhe Indiana.

Komentet e zotit Wright mund të dëmtojnë përpjekjet e zotit Obama për të zgjeruar mbështetjen mes votuesve të bardhë të klasës punëtore, që kanë preferuar zonjën Klinton në zgjedhjet e fundit paraprake në Pensilvani dhe Ohio. Në Pensilvani, një në gjashtë votues të bardhë thanë se raca ishte një faktor për ta në zgjedhjen mes zotit Obama dhe zonjës Klinton dhe tre të katërtat e tyre votuan për zonjën Klinton.

Eksperti politik në Universitetin e Virxhinias Larry Sabato thotë se votuesit historikisht kanë nguruar të pranojnë se raca mund të luaj një rol të rëndësishëm në vendimet e tyre.

“Anketat e opinioneve kanë gabuar vazhdimisht gjatë procesit të gjatë të zgjedhjeve paraprake dhe janë pothuajse gjithmonë gabim në të njëjtin pikë. Ato mbivlerësojnë mbështetjen për zotin Obama. Përse? Pasi disa votues të bardhë largohen nga anketat duke thënë se votuan për Obamën kur kanë bërë të kundërtën, ose nuk pranojnë të përgjigjen”.

Por ekspertë të tjerë vënë në pikëpyetje rolin që po luan raca në garën mes dy kandidatëve të Partisë Demokrate. Norman Ornstein është ekspert në Institutin American Enterprise në Washington.

“Jam skeptik se ky efekt mund të jetë aq i madh sa ç’mendojnë shumë njerëz, të paktën mes demokratëve. Ai mund të jetë më i madh në zonat e mëdha elektrorale, që përfshin shumë njerëz që nuk do të votojnë për një kandidat afrikano-amerikan, por shumë nga këta as që do të votonin për një demokrat. Anketat tregojnë se ka shumë të tjerë që e kanë të vështirë të votojnë për një grua”.

Senatori Barak Obama i tha kanalit televiziv Fox se ai beson se raca nuk do të jetë një çështje vendimtare si në betejën për kandidaturën e Partisë Demokrate ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“A është raca ende një faktor në shoqërinë tonë? Po. Nuk mendoj se dikush mund ta mohojë këtë. A do të jetë ky një faktor përcaktues në zgjedhjet e përgjithshme? No, pasi kam shumë besim se populli amerikan po kërkon dikë që mund të zgjidhë problemet e tyre. Në se unë humbas, kjo nuk do të vijë nga raca ime, por për shkak se kam bërë gabime në fushatë, nuk kam komunikuar me efektshmëri planet e mia përsa i përket ndihmës që mund t’u japë njerëzve në jetën e tyre të përditshme”.

Disa anketa të opinionit publik në muajt e fundit sugjerojnë se amerikanë janë më të gatshëm të zgjedhin një president afrikano amerikan sesa një grua. Në dy anketa të ndryshme, më shumë se 70 përqind e atyre që u pyetën thanë se vendi është gati për një president afrikano-amerikan krahasuar me pak më shumë se 60 përqind që thanë të njëjtën gjë për një grua presidente. //kk//

XS
SM
MD
LG