Lidhje

Problemet ende të pazgjidhura të Natos


Ndërsa situata në Afganistan dominoi takimin e muajit të kaluar të Natos në Bukuresht, në të u diskutuan edhe çështje të tjera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre De Nesnera i hedh një vështrim rezultateve kryesore të takimit të Natos.

Tradicionalisht takimet e nivelit të lartë të Natos i kanë ofruar udhëheqësve të aleancës mundësinë për të ftuar zyrtarisht vende të reja në organizatë. Dhe takimi i Bukureshti nuk bëri përjashtim. Shqipërisë dhe Kroacisë iu kërkua të fillonin bisedimet e pranimit – një proces që zyrtarët e Natos thonë se do të përfundojë deri më 1 korrik. Që nga përmbysja e Bashkimit Sovjetik në dhjetor të vitit 1991, 10 vende nga Evropa Lindore dhe Qëndrore janë bërë anëtarë të Natos. Ndërsa ftuan Shqipërinë dhe Kroacinë për në Nato, udhëheqësit e aleancës nuk bënë të njëjtën gjë për Maqedoninë, që njihet zyrtarisht si ish Republika Jugosvllave e Maqedonisë.

Robert Hunter, ish ambasador amerikan në Nato gjatë administratës së presidentit Clinton dhe tani ekspert në Korporatën Rand, thotë se Greqia kërcënoi t’i vinte veton anëtarësimit të Maqedonisë. "Në Nato çdo vend mund të verë veton një vendimi dhe patjetër një vendimi për anëtarësim. Grekët shqetësohen se maqedonasit duke e quajtur vendin e tyre Maqedoni do të ngrenë pretendime territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër. Dhe vërtetë që ka disa njerëz në Maqedoni që mendojnë kështu. Kështu që aleatët thanë, dakort ju zgjidhnin çështjen e emrit dhe sa të arrihet kjo ky vend që do ta quaja Maqedoni do të pranohet në Nato. Kështu që kjo çështje ka të bëjë me presionin mbi grekët dhe maqedonasit për ta zgjidhur mosmarrëveshjen".

Debati mbi emrin e Maqedonisë filloi kur ajo kërkoi pavarësinë nga ish Jugosllavia në vitin 1991. Tomas Valasek, ekspert i Natos në Qendrën për Reforma Evropiane në Londër, thotë se pamundësia e aleancës për të ftuar Maqedoninë ishte poshtëruese për udhëheqësit e këtij vendi. "Vërtetë ishte kështu. Mendoj se duhet të punojmë shumë për të ndaluar Maqedoninë t’i kthejë kurrizin Natos. Ky është një vend shumë i rëndësishëm, i cili ishte shumë pranë shpërbërjes në fillim të vitit 2000. Mendoj se të gjithë aleatët kanë nevojë të mendojnë gjatë se çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar Maqedoninë të jetë e qëndrueshme dhe në paqe në mungesë të ftesës për anëtarësim që pritej në takimin e Bukureshtit por që nuk arritëm tja ofronim gjë që mendoj se ishte turp për aleancën".

Udhëheqësit e Natos hodhën poshtë gjithashtu kërkesat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dy ish republika sovjetike për të filluar procesin e pranimit që njihet is Plani i Veprimit për Anëtarësim. Charles Kupchan është me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. "Ishte në një farë mënyre surpriza më e madhe e këtij takimi dhe një sprapsje e madhe për administratën Bush në se kihet parasysh përpjekja e madhe që bëri presidenti muajin para takimit për t’i futur këto vende në rrugën e anëtarësimit. Presidenti Sakashvili erdhi në Uashington në kuadër të Planit të Veprimit për Anëtarësim. Presidenti Bush më pas shkoi në Ukrainë për të njejtin qëllim, për t’i futur këto dy vende në rrugën e anëtarësimit. Pastaj zoti Bush shkoi në Bukuresht dhe mban një fjalim përsëri duke theksuar rëndësinë e futjes së këtyre vendeve pranë aleancës. Por përgjigja ishte: Jo aleanca nuk është gati!"

Por zyrtarët e administratës së presidentit Bush e vënë theksin tek komunikata përfundimtare e takimit ku thuhet se udhëheqësit e Natos ranë dakort që këto vende të bëhen anëtare të Natos. Por për këtë nuk është dhënë asnjë kornizë kohore. Charles Kupchan thotë se kishte disa arsye për këtë vendim të Natos. "Së pari ishte qëndrimi i Francës, Gjermanisë dhe të tjerëve se tani nuk është koha për krijuar një ftohje të mëtejshme me Rusinë. Nga ana tjetër Rusia nuk dëshiron që Nato t’i vejë pranë kufirit. Dhe kështu evropianët menduan se kjo nuk ishte kohë e përshtatshme. Ka shumë çështje të tjera të papërfunduara për Rusinë përfshi furnizimin me energji, Kosova, sistemi i raketave, Irani dhe kontrolli i armëve bërthamore. Evropianët thanë – Përse të shtojmë edhe një acarim tjetër në këto marrëdhënie? Pastaj vijnë shqetësimet legjitime rreth gadishmërisë së Ukrainës dhe Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar".

Një sukses i madh për presidentin Bush ishte miratimi nga udhëheqësit e Natos i propozimit amerikan për sistemin e mbrojtjes nga raketat që kundërshtohet fuqishëm nga Rusia. Ekspertët thonë se në fund të fundit, Natoja do ta ndërtojë këtë sistem në të cilin instalimet amerikane në Poloni dhe Republikën Çeke do të luajnë një rol të rëndësishëm. Por analistët shtojnë se në këtë fazë, sistemi i mbrojtjtes është vetëm një ide. //rd//

XS
SM
MD
LG