Lidhje

HRW: Shqipëria, Kosova, Serbia të zbardhin fatin e personave të humbur


Grupi i të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, u bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës të kryejnë “hetime të pavarura dhe transparente” për zbardhjen e fatit të rreth 400 serbëve të humbur pas luftës në Kosovë, në periudhën 1998-1999.

“Deklarata serioze dhe të besueshme mbi abuzime të tmerrshme në Kosovë dhe Shqipëri në periudhën mbas lufte kanë dale në dritë, ” thotë Fred Abrahams, hulumtues me përvojë i emergjencave pranë Human Rights Watch, i cili ka hetuar mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri nga periudha 1993 – 2000. “Prishtina dhe Tirana mund të tregojnë angazhimin e tyre ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor duke ndërmarrë hetimet e duhura”.

Human Rights Watch thotë se ka marrë informacione dhe prova të pavarura që mbështesin dhe vërtetojnë mjaft nga përshkrimet që bën ish Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte në librin e saj me titull “Gjyetia: Kriminelët e Luftës dhe Unë”.

Më 4 prill, Human Rights Watch i ka dërguar letër Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, ku u bën thirrje të hetojnë këto deklarata, por deri më 2 maj asnjera nga qeveritë nuk është përgjegjur. Përkundrazi, zyrtarë të lartë të të dy vendeve, thotë më tej Human Rights Watch, kanë hedhur poshtë publikisht akuzar si “pabaza” dhe “fyese”.

Sipas zonjës Del Ponte, në vitin 2003 Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi mori informacion nga “gazetarë të besueshëm”, të cilët kanë thënë se individë të caktuar në Kosovë kanë rrëmbyer dhe transportuar nga 100 deri në 300 persona nga Kosova në veri të Shqipërisë mbas 12 qershorit 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë.

Human Rights Watch thotë se e ka shqyrtuar informacionin e gazetarëve që zotëron, dhe e konsideron atë të hetuar mirë dhe të besueshëm. Grupi i të drejtave të njeriut thotë se shtatë shqipëtarë, të cilët kanë shërbyer ne Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mbasi u intervistuan një nga një dhanë hollësi për transportimim e serbëve të rrëmbyer nga Kosova drejt Shqipërisë në periudhën e pasluftës. Këta individë kanë thënë se ose kanë marrë vetë pjesë në këto operacione ose kanë qënë dëshmitarë të kryerjes së tyre.

“Informatat mbi trafikimin e organeve janë të dhëna që kërkojnë hetime të mëtejshme”, tha Fred por në asnjë mënyrë të kompletuara,” thotë Abrahams, “por realiteti tregon se qindra njerëz, shumica e të cilëve serbë figurojnë të humbur në periudhën pas luftës.

Human Rights Watch u bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të bëjnë ç’është e mundur për të hedhur dritë mbi fatin e këtyre njerëzve, duke hapur hetime serioze të shoqëruara me mbrojtjen e përshtatëshme të dëshmitarëve”.

“Mbledhja e provave të besueshme për fillimin e ndjekjes penale dhe mbledhja e provave që rrisin rëndësinë e pohimeve janë dy gjëra të ndryshme dhe është e qartë që provat e gjetura afër Burrelit shtojnë dukshëm peshën e pohimeve”, thotë zoti Abrahams.

Human Rights Watch i bën gjithashtu thirrje qeverisë së Serbisë të ndihmojë në zbardhjen e fatit të rreth 1500 shqiptarëve të humbur që nga lufta. “Qeveria serbe ankohet me të drejtë për rrëmbimet dhe transportimin e serbëve në Shqipëri,” thotë Fred Abrahams, “por në të njëjtën kohë qeveria serbe nuk ka bashkëpunuar në masën e duhur për të hedhur dritë mbi numrin akoma më të madh të shqiptarëve të Kosovës të humbur që nga periudha e luftës”. //iç//

Njoftimi për shtyp i Human Rights Watch

XS
SM
MD
LG