Lidhje

Mbi 22 mijë viktima nga cikloni në Birmani


Bashkësia ndërkombëtare është angazhuar në Birmani, duke i ofruar vendit të drejtuar nga një qeveri ushtarake ndihma, ndërkohë që numri i të vdekurve nga cikloni i së shtunës ka arritur në më shumë se 22 mijë.

Ndërsa përmasat e tragjedisë bëhen gjithnjë e më të qarta, përpjekjet për të shpërndarë furnizimet në vendin e izoluar janë vështirësuar nga përgjigja e ngadaltë e qeverisë birmaneze. Mijëra punonjës të Kryqit të Kuq ndodhen tashmë në zonat e prekura. Tailanda dërgoi ndihmat e para me ushqime, ujë dhe furnizime mjekësore sot. Ndërsa diplomatët nga disa vende perëndimore thonë se ende presin lejen për të dërguar ekipet e emergjencës.

Zyrtarët birmanezë thonë se rreth 41 mijë vetë figurojnë të zhdukur dhe numri i të vdekurve mund të rritet me ardhjen e informacioneve nga zonat më të thella. Qindra mijëra vetë kanë mbetur pa strehë, dhe ka mungesa të theksuara ushqimi dhe uji të pijshëm.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar me 3 milionë dollarë ndihmat për viktimat e ciklonit në Birmani. Uashingtoni ka dhënë deri tani 250 mijë dollarë për përpjekjet e ndihmave, por Presidenti Bush tha sot se Shtetet e Bashkuara duan të bëjnë më tepër. Sot në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti shprehu keqardhjen e tij të thellë për vuajtjet e popullit birmanez dhe i bëri thirrje qeverisë ushtarake birmaneze të lejojë futjen në vend të ekipeve amerikane për situatat emergjente.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes Geoff Morrell tha se Pentagoni po punon tani me Departamentin e Shtetit dhe Komandën Amerikane për Rajonin e Paqësorit në mënyrë që të fillojë së paku një mision për ndihma humanitare. Zëdhënësi Morrell tha sot në komentet për shtyp se planifikimi është e vetmja gjë që mund të bëjnë Shtetet e Bashkura për momentin, pasi qeveria amerikane nuk ka marrë ende kërkesë për ndihma nga qeveria birmaneze. //ad//

XS
SM
MD
LG