Lidhje

Analistët: Lojërat olimpike përdoren për qëllime politike


Shumë grupe politike po i përdorin Lojërat Olimpike 2008 në Pekin si një shans për t'i bërë presion qeverisë kineze, për të ndryshuar praktikat ndaj të drejtave të njeriut. Disa shprehin argumentin se lojërat duhet të ndahen nga politika. Por shumë analistë thonë se lojrat olimpike shpesh janë përdorur për qëllime politike. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim lojërave olimpike në të kaluarën dhe lidhjeve që kanë patur me politikën:

Ish notarja olimpike, kanadezja Niki Drajden, është anëtare e ekipit Darfur, një grupim prej afro 300 atletësh që kërkojnë të shtojnë vëmendjen rreth dhunës në Darfur dhe lidhjeve kineze me Sudanin.

“ Kur Kina u zgjodh të mbajë Lojrat Olimpike, ajo bëri një premtim global ndaj sportistëve se do të mbështeste vlerat e këtyre lojrave. Këto vlera janë, promovimi i paqes dhe i dinjitetit njerëzor. Kjo nuk po ndodh në Darfur. Ndaj mendoj se është një rast i mirë për ne që të tërheqem vëmendjen tek marrëdhëniet ndërmjet qeverisë kineze dhe asaj sudaneze, sidomos tani që po afrohet zhvillimi i lojrave në muajin gusht.” , - tha ajo.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Darfurin, Tibetin ose të drejtat e njeriut në Kinë, grupe të shumta po i përdorin Lojrat Olimpike si platformë për të protestuar kundër qeverisë kineze.

Demostruesit në Francë, SHBA dhe vende të tjera prishën ceremonitë e stafetës së pishtarit olimpik. Këto demostrime kanë ndezur një zemërim të gjerë nacionalist në Kinë. Pekini thotë se nuk duhet patur ndërhyrje politike në lojrat olimpike. Zëdhënësja e ministrisë së jashtëme kineze, Gjiang Y: 

 “Ajo që kemi parë nuk janë protesta, por sulme të dhunëshme dhe mizore ndaj flakës olimpike, e cila i përket tërë botës. Kjo duhet dënuar nga të gjithë njerëzit që vlerësojnë paanshmërinë dhe drejtësinë në botë, sepse ata kanë dëmtuar interesin e të gjithë njerëzve.”

Ndërkohë, këtu në Shtetet e Bashkuara, të tre pretendentët për Shtepinë e Bardhë i kanë bërë thirrje presidentit Bush për të bojkotuar ceremoninë e hapjes në Pekin, në mungesë të ndryshimeve të politikave nga qeveria kineze. Senatorja demokrate Hillari Klinton.

“Presidenti nuk duhet të marrë pjesë në ceremonitë hapëse të lojrave.”

Senatori demokrat Barak Obama:

“Mendoj se është e udhës që presidenti të mos pranojë ftesën në ceremonitë hapëse të lojrave.”

Kandidati republikan për president, senatori Xhon Mekejn.

 “Nuk do të shkoja në ceremonitë e hapjes.”

Presidenti Bush thotë se ai nuk e ka ndryshuar planin për të marrë pjesë. Ai thotë se sa herë që takohet me presidentin Hu Gjintao, ai nuk le pa përmendur çështjen e të drejtave të njeriut.

“Nuk i shoh lojrat olimpike si një ngjarje politike, por si zhvillim sportiv. Kam folur për çëshjtjen e lirisë fetare, Darfurit dhe Birmanisë si dhe Dalai Lamës para lojrave olimpike. Do të flas edhe gjatë dhe pas lojrave për këto çështje. E shikoj këtë si një rast për të mbështetur atletët amerikanë” , - thotë Presidenti.

Autori David Wallechinsky është zëvendës president i Shoqërisë së Historianëve Olimpikë. Ai thekson, se nëse presidenti Bush nuk e ndryshon planin, ai do të bëhej presidenti i parë amerikan në Shtepinë e Bardhë që merr pjesë në një ceremoni të hapjes së lojrave olimpike jashtë Shteteve të Bashkuara. Ai shton se lojrat olimpike shpesh janë përdorur për synime politike. 

Ai përmend lojrat olimpike të vitit 1936 në Berlin dhe Hitlerin, kur për herë të parë politika u bë pjesë qendrore e olimpikeve. 

“Kur Hitleri erdhi në fuqi, pati shumë diskutime se çfarë duhej bërë, nëse duheshin shtyrë lojrat. Në fund të fundit asgjë nuk u bë dhe lojrat u mbajtën në Gjermaninë naziste.”

Në vitin 1936, atleti amerikano-afrikan Jesse Owens sfidoi idetë naziste të superioritetit arian, duke fituar katër medalje të arta. Ndërsa në vitin 1968 në lojrat olimpike të Meksikos, atletët amerikanë Tommie Smith dhe John Carlos përdorën emblema që simbolizojnë fuqinë e zezakëve për të protestuar ndaj diskriminimit racial në Shtetet e Bashkuara. Por kanadezja Nikki Dryden thotë se ekipi Darfur po inkurajon atletët që të flasin rreth të drejtave të njeriut ndërkohë që marrin pjesë në lojrat olimpike të Pekinit.//lk

XS
SM
MD
LG