Lidhje

Dasmat e Shtëpisë së Bardhë


Jenna Bush, një nga vajzat binjake 27 vjeçare të Presidentit dhe zonjës Bush do të martohet të shtunën më datën 10 maj. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Susan Logue, në materialin në vazhdim, i bën një krahasim kësaj dasme me disa të tjera të fëmijëve të presidentëve të tjerë amerikanë.

Zonja e Parë Laura Bush e ka cilësuar dasmën që po afrohet të vajzës së saj Jenna si një mbrëmje të vogël dhe private. 200 miq do të marrin pjesë në ceremoninë që do të mbahet në fermën e presidentit Bush në Crawford të Texasit.

Kjo dasëm do të jetë shumë ndryshe nga dasma e vajzës së presidentit Nixon, Tricia në vitin 1971. "Ajo u quajt në atë kohë një paradë e vogël kombëtare". Historiania e Universitetit Ohio, Katherine Jellison është autorja e librit It’s Our Day: America’s Love Affair With the White Wedding – Është Dita Jonë: Dashuria e Amerikës për Dasmat e Shtëpisë së Bardhë. Ajo thotë se martesa e Tricias u zhvillua në kopshtin piktoresk me trëndafila të Shtëpisë së Bardhë. Nusja doli në faqet e para të revistave amerikane dhe ceremonia me 400 mysafirë, u transmetua drejtëpërsëdrejti nga televizioni kombëtar.

Ngjarja u përdor gjithashtu nga presidenti Nixon si një avantazh politik meqë ai po bënte fushatë për t’u rizgjedhur. "Ne e dimë nga shiritat e famshëm të regjistrimit të zotit Nixon se kishte biseda në Zyrën Ovale se ku ishte më mirë të vendoseshin kamerat, si Nixoni do të dukej më mirë si një njeri familjar dhe si të tregonte anën e tij të ngrohtë dhe miqësore".

Meqë presidenti Bush nuk po bën fushatë për t’u rizgjidhur, nuk ka nevojë për atë lloj vëmendje të medias. Por historiani Doug Wead, autori i librit Fëmijët e të Gjithë Presidentëve, thekson se komandanti i tanishëm i trupave të armatosura ka respektuar gjithmonë privatësinë e vajzave të tij. "Presidenti Bush në përgjithësi ka kërkuar t’i mbajë vajzat e tij larg qendrës së vëmendjes. Prindërit presidencialë po mësojnë më shumë se sa e rëndësishme është kjo për fëmijët. Dhe ata po bëjnë një punë më të mirë sesa presidentët e mëparshëm. Ne e pamë atë me Chelsea Clinton, e cila arriti të ruante jetën e saj private".

22 fëmijë presidentësh janë martuar ndërsa baballarët kanë qënë në detyrë. Historiani Wead thotë se shumica e këtyre dasmave ishin ngjarje të mëdha. Vajza e presidentit Teddy Roosevelt, Alice pati një nga dasmat më të mëdha në vitin 1906, kur u martua në Shtëpinë e Bardhë me Kryetarin e atëhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve Nicholas Longworth. "Kishte shumë të ftuar, delegacione nga e gjithë bota dhe dhurata të çmuara. Gazeta The Washington Post shkroi një artikull pas vdekjes së Alice Rooseveltit në vitin 1980 ku thuhej se në arkiva kishte ende qindra dhurata që ajo nuk i kishte hapur gjatë jetës së saj".

Media amerikane dhe publiku u tërhoqën shumë pas dasmës. "Artikujt për dasmën ishin në çdo cep të Washington Postit. Dhe kënga e parë në vend ishte për të. Edhe një ngjyre iu vu emri i saj".

Në kontrast, autorja Katherine Jellison thotë se shumë amerikanë as që nuk e dinë se Jenna Bush martohet këtë muaj. "Shumë amerikanë as që e kanë idenë e dasmës së Jennës. Dhe mendoj se ndoshta do të ishte e debatueshme tani në se familja Bush mundohej të bënte një shfaqje në Shtëpinë e Bardhë. Në këtë situatë kur ekonomia është dobësuar dhe lufta vazhdon në Irak, një dasmë e madhe në Shtëpinë e Bardhë do të ishte e papërshtatshme".

Jenna Bush tha se zgjodhi Texasis për dasmën pasi aty është shtëpia e saj. Ajo nuk është e vetmja që ka zgjedhur një dasmë private. Disa fëmijë presidentësh e kanë bërë një zgjedhje të tillë, përfshi hallën e Jennas. Dorothy Bush, motra e presidentit të tanishëm, u martua në pikën e pushimit presidencial në Camp David në vitin 1992, ndërsa presidenti i parë Bush ishte ende në post. //rd//

XS
SM
MD
LG