Lidhje

Ruecker: Zgjedhjet lokale serbe – të paligjshme dhe të pavlefshme


Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet lokale serbe janë të paligjshme dhe nuk mund të ketë administratë paralele në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Prishtinë zoti Ruecker thotë se misioni i drejtuar prej tij do t’u përshtatet rrethanave të krijuara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por ende mbetet për t’u përcaktuar mandati i qartë i UNMIK-ut dhe Misionit të Bashkimit Evropian pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, të dielën autoritetet e Beogradit synojnë të organizojnë zgjedhjet parlamentare dhe lokale edhe në Kosovë. Çfarë qëndrimi do të mbajë misioni juaj?

Joachim Ruecker: Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, ne do të mbajmë qëndrimin që e kemi mbajtur që nga viti 1999 që këto zgjedhje nuk do të jenë të penguara por as të mbështetura. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, atëherë çështja është nëse Serbia provon të organizojë zgjedhje lokale më ligjet që nuk janë të zbatueshme në Kosovë. Ato do të jenë në kundërshtim me Rezolutën 1244, nuk janë të autorizuara nga UNMIK-u dhe rezultati i tyre do të jetë i pavlefshëm nëse zgjedhjet e tilla mbahen.

Zëri i Amerikës: A e keni shqyrtuar mundësinë e parandalimit të tyre?

Joachim Ruecker: Po. E kemi bërë nëpërmjet mjeteve politike e diplomatike. Kemi bërë çdo përpjekje për të bindur Beogradin që kjo nuk duhet të ndodhë. Me herët kur kemi dëgjuar për këtë, kemi thirrur politikanët e Beogradit dhe u kemi thënë të mos e bëjnë këtë. Ne e kemi mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në New York, kemi mbështetjen nga shtetet kryesore te Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Të gjithë pajtohen se është kundër rezolutës 1244 dhe nuk ka mundësi që Serbia të mbajë zgjedhje të tilla lokale në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Disa përfaqësues të së ashtuquajturës vijës së fortë të serbëve në veri, kanë paralajmëruar krijimin e një parlamenti të veçantë pas këtyre zgjedhjeve. Çfarë do të bëni ju në një rast të tillë?

Joachim Ruecker: Siç e thashë, është qëndrim i UNMIK-ut se zgjedhjet e tilla nuk kanë vlerë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Nëse ata provojnë të zbatojnë rezultatet e atyre zgjedhjeve, çfarë do të bëni ju?

Joachim Ruecker: Vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhje në Kosovë dhe ligjet e zbatueshme janë të tilla vetëm në Kosovë. Nëse dikush provon të ketë struktura paralele administrative në Kosovë, ne do të veprojmë në bazë të ligjeve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: A janë këto zgjedhje përpjekje për ndarjen e Kosovës?

Joachim Ruecker: Para së gjithash, ju mund të befasoheni, por nuk kemi pasur asnjë komunikim zyrtar nga Serbia se ata do të ecin përpara me zgjedhjet lokale. Ne kishim komunikim zyrtar në mars dhe në prill kur na është kërkuar që të shpallim zgjedhje të tilla dhe në kemi thënë se nuk mund ta bëjmë këtë. Por, ne kishim vullnet të ulemi e të bisedojmë duke u këshilluar edhe me qeverinë e Kosovës, për rrugët dhe mënyrat se si mund të mbaheshin zgjedhje lokale në disa komuna serbe në Kosovë, por zgjedhjet e organizuara nga Beogradi janë të papranueshme. Kjo është përsëritur dhe ne e kemi bërë të qartë se kjo është e pamundur. Pas kësaj, nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar dhe kam mësuar nga mjetet e informimit se Serbia dëshiron të organizojë zgjedhje të tilla. Por, po e them sërish, vetëm UNMIK-u mund të organizojë zgjedhje të tilla dhe ato nuk do të kenë vlerë.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e lartë serbë po mbajnë fushatë nëpër Kosovë dhe kundërshtimi I pavarësisë është në thelb të kësaj fushate. A marrin leje nga ju dhe qeveria e Kosovës para se të vijnë në Kosovë?

Joachim Ruecker: Ka liri të lëvizjes në tërë Kosovën dhe mendoj se është me rëndësi të mbrohet ky parim dhe jo të krijohet një imazh se kufijtë e Kosovës janë të mbyllur. Përfaqësuesit serb kërkojnë shoqërim dhe kësisoj ne mësojmë për këto vizita dhe vendosim kushtet. Ne themi se nuk mund të ketë shoqërim me armë dhe vëzhgojmë veprimet e tyre këtu. Nëse ka një gjuhë që nxitë tensionet ndëretnike, që nxitë dhunë, ne jemi syçelë dhe do të përpiqemi të parandalojmë një gjë të tillë. Por, të kthehem në atë që thashë në fillim. Është me rëndësi që të mos ketë reagime ndaj vizitave të tilla, sepse Kosova ka liri të lëvizjes dhe është e hapur për të gjithë fqinjët e saj. Roli i ardhshëm i pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker. Më 15 qershor hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe kjo datë do të duhej të shënonte edhe përmbylljen e misionit tuaj. Çfarë do të bëjë UNMIK-u pas kësaj date?

Joachim Ruecker: Siç e dini, që nga vitit 1999 UNMIK-u ka reaguar ndaj ndryshimit të rrethanave në terren. UNMIK-u ka ndryshuar në disa mënyra dhe ka humbur disa nga shtyllat e tij. Pra ne kemi ndryshuar në dritën e rrethanave të ndryshuara. Diçka ka ndryshuar më 17 shkurt dhe presim që 15 qershori do të jetë datë prej kur do të jetë i vështirë zbatimi i mandatit tonë, prandaj ne duhet të reagojmë ndaj rrethanave të ndryshuara siç ka paralajmëruar edhe sekretari i përgjithshëm në raportin e fundit në Këshillin e Sigurimit. Dhe do të bëjmë këtë.

Zëri i Amerikës: Në çfarë formati do të funksioni pas kësaj date?

Joachim Ruecker: Do të kemi vazhdimësi të përgjegjësive të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Do të ketë një zyrë politike, përgjegjësi nga fusha e OSBE-së etj. Çështja kryesore në të cilën nuk mund të përgjigjemi sot, është çështja e përgjegjësive që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Nëse dhe si do t’i kalojnë ato EULEX-it. Kjo çështje ende po diskutohet në komunitetin ndërkombëtarë. Jam i bindur se ky komunitet do të gjejë një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik nga dyfishimi i misioneve pas asaj date?

Joachim Ruecker: Në parim nuk duam të dyfishojmë atë që të tjerët kanë mundësi dhe vullnet ta bëjnë. Është parim që të shmanget dualizmi, që mandatet të jenë qartë të përcaktuar. Mendoj se ende ka punë për të bërë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe EULEX-in. Parimi është se nuk mund të ketë ndarje gjeografike, apo etnike ndërmjet organizatave ndërkombëtarë në Kosovë në të ardhmen. Çfarëdo që të jetë, duhet të jetë një formulë për gjithë Kosovën. Nuk ka ndarje të Kosovës

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker. Veriu I Kosovës mbetet sfida kryesore politike. Si do të zgjidhet kjo çështje?

Joachim Ruecker: Është me rëndësi që zhvillimet politike të mbështeten në parime të caktuara. Dhe një nga parimet është se veriu është pjesë e Kosovës. Ne duhet të zbatojmë mandatin tonë me vendosmëri por njëkohësisht duket të ketë edhe dialog, sepse është vështirë t’i shtysh njerëzit me forcë në diçka që ata nuk duan ta pranojnë. Dialogu me serbët e veriut po vazhdon jo vetëm nga ana e UNMIK-ut por edhe komunitetit ndërkombëtarë përfshirë edhe dialogun me Beogradin.

Zëri i Amerikës: A ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës?

Joachim Ruecker: Ky problem është si fantazma nga Lohnesi, gjithmonë del në sipërfaqe, por mandati ynë është i bazuar në parimet e grupit të Kontaktit, në rezolutën 1244 dhe nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Mendoj se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. //bsa//

XS
SM
MD
LG