Lidhje

Cila do të jetë politika e jashtme e presidentit të ri amerikan?


Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara zakonisht pasqyron interesat strategjike dhe të sigurisë të administratës që është në fuqi. Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të këtij viti, ekspertët po hamendësojnë lidhur me ndryshimet që mund të sjellë në politikën e jashtme amerikane një president i ri.

Të gjithë kandidatët kryesorë të zgjedhjeve presidenciale të 2008-ës kanë folur gjatë fushatës për objektivat e tyre të politikës së jashtme. Kandidati republikan Xhon Mekejn dhe kandidatët demokratë, rivalë në garën e partisë e tyre, Barak Obama dhe Hillari Klinton, janë përpjekur për të krijuar idenë se objektivat e tyre, nëse realizohen, do ta bëjnë Amerikën më të fortë dhe më të sigurtë, si dhe do ta përmirësojnë imazhin e saj në botë.

Piter Beinard, studiues në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, thotë se gjatë fushatës presidenciale, kandidatët republikanë dhe ata demokratë kanë shpreheur pikëpmaje të ndryshme për mënyrën se si ata e shikojnë botën. Zoti Beinard parashikon që politika e jashtme amerikane, pas zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, do të kushtëzohet nga partia që do t’i fitojë zgjedhjet.

Demokratët, - thotë ai, - janë më të hapur ndaj idesë për një botë ku të ketë bashkëpunim me interasat e përbashkëta mes vendeve të ndryshme. Republikanët mendojnë se bota do të karakterizohet nga konflikte dhe e rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të sigurohen për të qenë më të fuqishme se sa rivalët e tyre.

Analisti Beinard është i mendimit se politika e jashtme e republikanëve shpesh përqëndrohet tek çështja për të mësuar se cilat vende janë antiamerikane, cilat vende janë aleate të Shteteve të Bashkuara dhe për krijimin e një ekuilibri pushteti, që synon t’i mbajë larg armiqtë e Amerikës. Sipas analistit, në se zgjedhjet e nëntorit i fiton një kandidat republikan, ai do të përqëndrophet në krijimin e një balance pushteti ndaj Iranit dhe në një shkallë më të vogël ndaj Kinës dhe Rusisë.

Në anën tjetër, thotë studjuesi, një president demokrat është më i prirur të ndjekë politika të bashkëpunimit ndërkombëtar, në vend që të krijojë konfrontime, kur është fjala për shqetësimet e sigurisë globale. Retorika e fushatës së kandidatëve presidencialë le të kuptohet se mes të dyja partive, ka ndryshime themelore lidhur me luftën në Irak.

Analisti Beinard është i mendimit se prania amerikane në Irak do të përbëjë sfidën më të madhe të politikës së jashtme, me të cilën do të ndeshet presidenti i ri amerikan. "Në se zgjedhjet i fiton Mekejn, që mendoj se nuk ka shumë gjasa, - thotë analisti-, ai do të ndeshet me një situatë shumë të vështirë, do t’i duhet të kufizojë numrin e trupave amerikane në Irak, për të cilat ai është tepër i përkushtuar, përballë një Kongresi amerikan, që është thuajse e sigurtë se mbizotërohet më shumë nga demokratët dhe do të kërkojë më me forcë tërheqjen e trupave nga Iraku.

Në se demokratët i fitojnë zgjedhjet, ata do të ndeshen me një alternativë tepër të vështirë, në se do t’i tërheqin me shpejtësi trupat nga Iraku. Por në se demokratët do t’i tërheqin shpejt trupat dhe gjendja në Irak keqësohet, kjo do t’i dëmtonte ata së tepërmi. Analistë të tjerë thonë se kandidati republikan ka më tepër shanse ta fitojë garën për në Shtëpnië e Bardhë.

David Frum, ish ndihmës i Presidentit Bush, tani studjues në insitutin Enterprize thotë se senatori Mekejn ka shans shumë të mirë për t’u bërë presidenti i ardhshëm dhe ai parashikon që politika e jashtme amerikane, në administratën e tij do të ndryshonte shumë pak nga ajo e paraardhësit të tij, presidentit Bush. "Fillimisht, ai do ta vazhdojë politikën aktuale ndaj Irakut, që synon pakësimin e dhunës atje. Mendoj se senatori Mekejn do të angazhohet më seriozisht se Presidenti Bush gjatë dy vjetëve të fundit, për të mos e lejuar Iranin të ndjekë programin bërthamor. Mendoj gjithashtu, - shton analisti, - se marrëdhëniet me Indinë do të forcohen dhe ato do të bëhen një përparësi tepër e rëndësishme për adminsitratën amerikane të shekullit të 21-të."

Analisti Frum thotë se çështja e sigurisë kombëtare në kuadrin e politikës së jashtme amerikane, për të cilën ai mendon se e ndihmoi Presidentin Bush të rizgjidhet në vitin 2004, do të mbetet një shqetësim kryesor për një president republikan.

Ndërsa Shibley Talhami, profesor në Universitetin e Marilandit, mendon se pavarësisht në se presidenti i ardhshëm amerikan do të jetë demokrat, apo republikan, ai do të udhëhiqet në politikën e jashtme nga përparësi të pashmangshme, si Iraku, çështja e armëve bërthamore, lufta ndaj terrorizmit apo ekonomia amerikane, probleme të strukturës së saj të brendshme, por edhe vendi i saj në ekonominë globale.

Analisti mendon se në se presidenti i ardhshëm do të jetë një demokrat, ai do t’i trajtonte këto çështje shumë ndryshe nga një president republikan. Zoti Telkhami thotë se konflikti arabo-izarelit nuk ka qenë një përparësi e administratës Bush, por ka shumë mundësi që ajo të jetë përparësi e demokratëve, që kanë premtuar të fillojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Në mënyrë që të arrihet kjo, pa lënë prapa kaos në Irak, profesori Telhami thotë se presidenti i ri amerikan do të duhet të përqëndrohet tek mënyrat për stabilizimin e gjendjes në Lindjen e Mesme, duke u përpjekur të zgjidhë tensionet rajonale dhe duke i dhënë zgjidhje konfliktit izraelito-palestinez përmes formulës së dy-shteteve: egzistencës përkrah njeri tjetrit si të shtetit izraelit edhe atij palestinez. //bsa//

XS
SM
MD
LG