Lidhje

Kriza ushqimore dhe kërkimet për rritjen e rendimentit


Gjatë muajve të fundit, në mbarë botën ka pasur trazira si pasojë e çmimeve të larta ushqimore mes shqetësimeve se furnizimet me ushqime mund të mos përmbushin kërkesat në rritje. Ndërsa udhëheqësit e vendeve të zhvilluara dhe bankave për zhvillim diskutojnë mbi zgjidhjet, një grup kërkimor në shtetin perëndimor të Ajdehos në Shtetet e Bashkuara po ndihmon për përmirësimin e rendimentit të grurit në botë dhe për të luftuar sëmundjet tek kjo bimë. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë për rolin që luan teknologjia në punën e Institutit të Kërkimeve Bujqësore për Drithërat në shtetin e Ajdehos.

Studjuesi Majk Bondman dhe personeli kërkojnë për rezistencë gjenetike në linjat e farës kundër një virusi, që ka shkatërruar të korrat e grurit në Afrikë. “Farat që kalojnë kontrollin fillestar, pra që janë rezistente, do të dërgohen në Kenia për analiza kundër një forme të re, agresive të sëmundjes që prek kërcellin.”

Instituti i Kërkimeve Bujqësore për Drithërat në Aberdin të shtetit Ajdeho është mes një numri të vogël qendrash kërkimore në mbarë botën që arkivon koleksione farërash nga pjesë të ndryshme të globit. “Shumë prej këtyre koleksioneve janë varietete të ndryshme, që u kultivuan para mijëra vjetësh”. Zoti Bondman thotë se disa koleksione mund të mos u përshtaten mirë prodhimeve të larta bujqësore, por ato mund të kenë një qëndresë gjenetike ndaj sëmundjeve si ajo që prek kërcellin.“Ato mund të kenë gene shumë të vlefshme për rezistencë ndaj sëmundjeve. Dhe ne po përpiqemi të zbulojmë këto koleksione rezistente dhe t’i vëmë ato në dispozicion të metodave shtuese për kultivuesit modernë”.

Shumica e ekspertëve janë të një mendimi se pjesë e zgjidhjes afat-gjatë për krizën ushqimore është përmirësimi i rezistencës ndaj sëmundjeve dhe shtimi i rendimentit të bimëve në gjithë botën. “Tokat më të mira bujqësore po pakësohen për shkak të urbanizimit në shumë vende. Prandaj duhet të shtohet rendimenti në tokat e disponueshme”. Shpesh fermerët marrin prodhime të larta pasi përdorin farëra të reja.

Më në fund, sëmundjet natyrore të mjedisit u përshtaten farërave të reja dhe këto të fundit humbasin rezistencën ndaj tyre. Pas disa vjetësh, prodhimi fillon të bjerë. “Kemi nevojë për një strategji gjenetike për të përdorur burime të reja e të ndryshme të rezistencës ndaj sëmundjeve që prekin bimë si gruri, tërshërat dhe patatet, në mënyrë që të jemi më të mbrojtur ndaj ndryshimit të sëmundjeve”.

Studjuesit thonë se fermerët dhe mjedisi natyror përballen me një betejë të vazhdueshme biologjike. Ndërsa popullata e botës rritet, më shumë bimë ushqimore duhen kultivuar në tokën ekzistuese të punueshme, që pakësohet vazhdimisht. Kjo është një sfidë e vështirë dhe studjuesit në Institutin e Kërkimeve Bujqësore për Drithërat shpresojnë të luajnë një rol kritik.//rd//

XS
SM
MD
LG