Lidhje

Senatorja Hillari Klinton e vendosur ta vazhdojë fushatën


Në Shtetet e Bashkuara, vetëm gjashtë gara kanë mbetur për zgjedhjen e kandidatit demokrat presidencial. Ndërsa Senatori i Ilinoit Barak Obama, për herë të parë i ka hequr senatores Hillari Klinton epërsinë në numrin e superdelegatëve, fushata e saj thotë se ajo do ta vazhdojë garën.

Senatori Obama bëri një hap tjetër drejt emërimit me fitoren e tij para dy javësh në Karolinën e Veriut me një epërsi prej 14 për qind ndaj senatores Klinton. Zonja Klinton fitoi me 2 për qind diferencë në Indiana po të martën. Shumë analistë politikë e shpallën të mbyllur garën për emërimin.

Por në Indiana, zonja Klinton premtoi ta vazhdonte luftën: “Zgjedhjet e ardhshme paraprake janë një provë tjetër. Do të punoj pa pushim në Virxhinian Perëndimore dhe Kentaki këtë muaj dhe shpresoj që të fitoj në këto shtete edhe në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor”.

Votimet paraprake në Virxhinian Perëndimore mbahen të marten, ndërsa në Kentaki dhe Oregon më 20 maj. Sezoni i zgjedhjeve paraprake mbyllet më 3 qershor. Senatori Obama fitoi 56 për qind të votave në Karolinën e Veriut, falë kryesisht mbështetjes së fortë të votuesve afrikano-amerikanë. Nëse zgjidhet ai do të ishte presidenti i parë afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Pas shpalljes së rezultateve, ai foli për fitore ndaj kandidatit republikan Xhon Mekein në zgjedhjet e përgjithshme. “Ne nuk mund t’i japim shansin Xhon Mekeinit që të kryejë mandatin e tretë të presidentit Bush. Amerika ka nevojë për ndryshim dhe për këtë arsye ne do të shkojmë të bashkuar në zgjedhjet e nëntorit”.

Hillari Klinton thotë se ajo ka shanset më të mëdha për të fituar ndaj senatorit Mekein në shtete të mëdha dhe shpesh të paprashikueshme. Fushata e saj është përballur me mungesa fondesh dhe së fundmi ajo ka dhënë hua nga paratë e saj për ta financuar fushatën. Zonja Klinton do të ishte e para grua presidente në Shtetet e Bashkuara. Mbështetja e vazhdueshme për të nga votuesit e bardhë dhe amerikanët më në moshë, kontribuan në fitoren e saj në Indiana.

Nëntë mes dhjetë votuesve zezakë atje dhe në Karolinën e Veriut zgjodhën Barak Obamën. Hillari Klinton ka ende shans që ta fitojë emërimin, nëse në kuvendin e partisë në gusht llogariten votat e delegatëve të Miçiganit dhe Floridës. Partia Demokrate nuk ka pranuar t’i marrë ato në konsideratë, pasi ato shtete i mbajtën zgjedhjet paraprake më herët sesa lejonin rregullat.

Komiteti i Rregullores së Partisë Demokrate mblidhet më 31 maj për të marrë një vendim. Përpjekjet bëhen për të shmangur një betejë përçarëse lidhur me kandidatin e partisë në kuvend. Në fillim të viteve 80 Partia Demokrate krijoi konceptin e superdelegatëve që janë zyrtarë të partisë dhe të zgjedhur. Një nga arsyet ishte pikërisht që të shmangeshin konflikte të tilla.

Afro 800 superdelegatët janë të lirë të zgjedhin çdo kandidat. Superdelegatët e pavendosur janë nën presion të madh nga fushatat e dy kandidatëve. Nga kampi republikan, senatori Xhon Mekein është në fushatën e tij të dytë për Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 2000 ai humbi ndaj presidentit aktual Xhorxh Bush. Këtë radhë ai ka siguruar numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të qenë i emëruari i partisë së tij. (ib)

XS
SM
MD
LG