Lidhje

Analistët në Uashington mbi zgjedhjet në Serbi


Rezultatet e zgjedhjeve serbe të së dielës, ku pro-perëndimorët e Presidentit Boris Tadiç dolën fitues, nuk ka të ngjarë të ndryshojnë politikën e Beogradit ndaj Kosovës, megjithëse kjo mund të varet nga qeveria e re që do të ketë Serbia. Udhëheqësit politikë serbë përballen tani me sfidën e negociatave të vështira për formimin e qeverisë. Ja ç'mendojnë analistët në Uashington.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan të dielën në Serbi flasin për fitoren e partisë së presidentit pro-perëndimor Boris Tadiç. Por, pavarësisht nga fitorja e demokratëve pro-evropianë, analistët nuk presin ndonjë ndryshim në politikën e Beogradi ndaj Kosovës.

Daniel Server është analist politik në Institutin e Paqes në Uashington.“Nuk mendoj se Serbia do të heqë dorë nga Kosova. Ajo do të mbetet e patundur në qëndrimin e saj. Por, ajo që do të shohim është se në Beograd do të fillojë t’i jepet përparësi rrugës drejt Evropës. Pra, nuk do të ndryshojë politika për Kosovën, por rëndësia që do t’i kushtohet asaj në krahasim me integrimin evropian.” Zoti Server, thotë ende se mbetet të shihet gjithashtu politika që do të ndjekë zoti Tadiç në lidhje me serbët e Kosovës.

Por, a kanë funksionuar stimujt e ndryshëm ofruar Beogradit nga Evropa? Po, përgjigjet analisti Eduard Xhozef i Universitetit Xhons Hopkins. Dhe çfarë do të thotë kjo për Kosovën? “Në lidhje me Kosovën, kjo do të thotë që Evropa të mos nxitohet për sa u përket çështjeve që mund të jenë të debatueshme dhe të vështira në Beograd. Pra nuk duhet t’u vihen kushte të rrepta.”

Me anë të zgjedhjeve, serbët e treguan rrugën që synojnë të ndjekin por është ende e vështirë të parashikohet se cila palë do të arrijë të formojë koalicionin e shumicës. “Procesi i negocimit të një qeverie të re në Serbi mund të kërkojë pak kohë. Megjithatë drejtimi i elektoratit është shumë i qartë duke marrë parasysh rezultatet e mira të partisë së presidentit Boris Tadiç dhe rezultateve jo aq të mira të partisë radikale. Por çka nuk është e qartë është se cila do të jetë qeveria e ardhshme,” thotë analisti Server.

Në këto zgjedhje radikalët morën më pak vota seç pritej. Partia e presidentit Tadiç nuk ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në parlament për të formuar vetë qeverinë. Prandaj, duket se partia kyçe për koalicionin nuk është më partia ish kryeministrit Koshtunica, por partia socialiste e ish presidentit Sllobodan Millosheviç.

Analisti Eduard Xhozef thotë: “Me sa kuptoj unë ata janë të ndarë brenda partisë socialiste. Dhe megjithëse kryetari i kësaj partie, zoti Daçiq mund të dojë të krijojë koalicion me presidentit Tadiç, ka të tjerë brenda partisë së tij që nuk duan ta bëjnë këtë. Prandaj nuk dihet.”

Por a është i mundur një koalicion i partisë së zotit Tadiç me partinë socialiste. Zoti Serwer thotë se për këtë partia socialiste do të duhej të ndryshonte dhe të linte pas të kaluarën e saj.

“Nuk është ende e qartë nëse socialistët e kanë marrë këtë vendim, por nuk mund të ketë një qeveri të mirë nëse ata nuk e bëjnë këtë ndryshim thelbësor për të shkuar në një drejtim pro-evropian dhe të heqin dorë nga programi i tyre nacionalist.” Zoti Server thotë se kjo ka ndodhur edhe më parë në Ballkan ku partitë kanë vendosur të zgjedhin një rrugë të re. //bsa//

XS
SM
MD
LG