Lidhje

Demokratët shqetësohen se sa do të zgjasë gara Klinton-Obama?


Kandidatja e Partisë Demokrate për president senatorja Hillari Klinton nuk po jep shenja se do të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë megjithëse shumica e ekspertëve politikë besojnë se senatori Barak Obama tani pothuajse e ka të sigurt fitoren e emërimit të partisë për në zgjedhjet e nëntorit. Por se sa do të zgjasë gara Klinton-Obama është një çështje, që shqetëson shumë demokratë.

Ndërsa vazhdon fushatën gjatë e javëve të fundit, Senatorja Hillari Klinton e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga gara, megjithëse senatori Obama udhëheq për sa i përket numrit të delegatëve.

“Mesazhi që preferoj më shumë është ai që ma dha një grua e quajtur Anxhela. Ajo me tha ‘mbahu e fortë, asgjë nuk ka përfunduar derisa kandidatja Klinton thotë se ka mbaruar’.”

Senatorja Klinton mendon se një mbështetje e madhe në garat e mbetura do ta mbajnë atë në pozitë të fortë, megjithëse më shumë superdelegatëve po mbështesin senatorin Obama se sa zonjën Klinton. Superdelegatët janë zyrtarë dhe veprimtarë të kësaj partie, të lirë të përkrahin cilindo kandidat në kuvendin e partisë që mbahet në muajin gusht në qytetin Denver të shtetit Kolorado. Senatori Obama ka qenë i kujdesshëm që të mos përpiqet ta detyrojë zonjën Klinton të tërhiqet nga gara. Ja se çfarë tha ai në një intervistë për rrjetin televiziv NBC.

“Dua të respektoj senatoren Klinton dhe dëshirën e saj për ta vazhduar garën dhe sapo ta di se jam kandidati i partisë për në zgjedhjet e nëntorit, atëherë do t’i drejtohem asaj dhe udhëheqësve të tjerë të partisë për të shikuar se si mund ta bashkojmë partinë tonë për zgjedhjet e përgjithshme”.

Norman Ornstein, ekspert në Institutin American Enterprise mendon se senatorja Klinton do të qëndrojë në garë deri në përfundim të zgjedhjeve paraprake.

“Mendoj se senatorja Klinton do të qëndrojë në garë deri me 3 qershor, kur përfundojnë zgjedhjet paraprake. Dhe më pas ndoshta rreth 4 qershorit çdo gjë do të përfundojë. Ka mundësi që ajo ta bëjë këtë edhe më parë, por mendoj se ekziston një farë marrëveshje që të shkohet deri në fund të kësaj gare. Edhe në një rast të tillë, demokratëve u mbeten më tepër se dy muaj që të marrin veten deri në zgjedhjet e nëntorit”.

Disa demokratë me peshë shqetësohen se vendimi i zonjës Klinton për të qëndruar në garë deri në fund mund ta dëmtojë senatorin Obama, sidomos nëse ajo përsërit disa prej retorikave të ashpra në adresë të senatorit Obama, ndërsa vazhdon fushatën në garat e mbetura deri më 3 qershor.

Ish kandidati presidencial dhe ish-senatori John Edwards në emisionin Face the Nation të rrjetit televiziv CBS tha se senatorja Klinton duhet të jetë e kujdesshme.

“Ajo duhet të jetë e kujdesshme ndërsa vazhdon fushatën dhe mundohet të bindë votuesit rreth aftësive të saj, gjë që është e drejtë e saj, që të mos dëmtojë shanset e partisë tonë për në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor”.

Ka mundësi që senatorja Klinton të braktisë garën para se të përfundojnë zgjedhjet paraprake më 3 qershor, nëse ajo e sheh se nuk ka asnjë mundësi për të fituar emërimin e partisë.

Shumica e analistëve mendojnë se fushatës së kandidatëve të partisë demokrate për në zgjedhjet e nëntorit do t’i vijë fundi në qershor kur pjesa e mbetur e superdelegatë të pavendosur të rreshtohen pas senatorit Obama.

Senatori Obama tashmë e ka shvendosur vëmendjen nga senatorja Klinton dhe e ka përqëndruar atë tek kandidati republikan, senatori John McCain. Edhe fushata e senatorit McCain javët e fundit është përqëndruar më shumë tek zotit Obama, duke e lënë mënjanë senatoren Klinton. (ze)

XS
SM
MD
LG