Kina thotë se rreth 400 diga dhe rezervuare pranë epiqendrës së tërmetit janë dëmtuar, duke ngritur shqetësime të reja, ndërsa zyrtarët kinezë paralajmëruan sot, se numri i vdekjeve mund të kapë shifrën e 50 mijë vetëve.
Forcat e ushtrisë po përpiqen me të gjitha forcat të shpëtojnë dhjetra mijëra njerëz që mendohet se mund të kenë mbetur nën rrënoja. Zyrtarët në provincën jugperëndimore të Sëçuanit thonë se numri i të vdekurve është rritur, në më tepër se 19 mijë e 500 vetë.
Agjencia kineze e lajmeve HSINHUA thotë se trupat janë dërguar për të riparuar të çarat që ka pësuar Diga Zipingpu. Ministri kinez i Ujit tha se problematike mbetet çështja e sigurisë së ujit të rezervuareve dhe hidrocentraleve në zonën e tërmetit.
Autoritetet pranojnë se po zbehen shpresat për gjetjen e njerëzve të tjerë që mund të kenë mbetur gjallë nën rrënoja, tre ditë pas tërmetit të fuqishëm. Disa banorë të mbetur pa shtëpi po fillojnë të ankohen për përgjigjen e qeverisë ndaj pasojave të tërmetit dhe mungesën e pajisjeve të emergjencës.//lk