Lidhje

Senatori demokrat Eduard Kenedi shtrohet në spital


Një zëdhënës i Senatorit demokrat Eduard Kenedi tha se anëtari veteran i senatit amerikan u shtrua me urgjencë në një spital të shtetit të Masaçusesit pasi kishte simptoma të strokës.

Senatori 76 vjeçar u çua me helikopter sot nga shtëpia e familjes Kenedi në Boston.

Zoti Kenedi ka patur shumë probleme shëndetësore në të kaluarën. Ai iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale vitin e kaluar për të liruar një arterie të bllokuar pranë qafës.

Ted Kenedi, senator amerikan që nga viti 1962 është vëllai i vogël i ish presidentit Xhon F. Kenedi i cili u vra gati 45 vjet më parë.

Ligjvënësi liberal është një kritik i hapur i presidentit Xhorxh Bush. Ai ka qënë gjithashtu një nga përkrahësit më të zjarrtë të fushatës së senatorit Barak Obama për kandidaturën e partisë demokrate në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. (ze)

XS
SM
MD
LG