Lidhje

Rezervat amerikane të naftës


Departamenti amerikan i Energjisë ndaloi të premten blerjen e naftës për rezervat emergjente të qeverisë pasi kongresi votoi këtë javë me shumicë dërrmuese derisa çmimet e naftës të bien në 75 dollarë për fuçi. Ky hap i departamentit të Energjisë përkoi me çmimin e ri rekord të naftës. Si Dhoma e Përfaqësuesve edhe Senati e miratuan ligjin në përgjigje të zemërimit të publikut lidhur me çmimet katastrofike të naftës dhe karburantit.

Shumë ligjvënës argumentuan se ndalimi i blerjes së naftës nga qeveria do të ketë vetëm një ndikim modest tek konsumatorët dhe nuk është zgjidhja për çmimet e larta të naftës. Por ata thonë se ky është një hap në drejtimin e duhur. Analisti i naftës Kevin Book thotë se kërkesa dhe oferta globale është ajo që përcakton çmimin e naftës.

“Kjo është mënyra më e shpejtë dhe më e thjeshtë për tju përgjigjur simbolikisht shqetësimeve të konsumatorëve, por nuk përbën një ndryshim të vërtetë. Rezervat strategjike nuk dëmtohen shumë në se nuk mbushen. Në fakt ato kërkojnë rreth 24 milion fuçi për të arritur nivelin e plotë. Nga ana tjetër, çmimet e naftës në botë nuk do të ndryshojnë shumë si rezultat i këtij vendimi”.

Rezerva Strategjike e Naftës është një rrjet përgjatë Bregut të Gjirit të Meksikës në jugun e Shteteve të Bashkuara. Ai u krijua në vitet 1970 si masë mbrojtëse kundër një ndërprerje të menjëhershme të furnizimeve me naftë siç ishte emgargoja e naftës arabe në vitet 70-të.

Departamenti amerikan i Energjisë ndërpreu dje blerjen e naftës për rezervat strategjike, një veprim që presidenti Bush e kundërshtoi në kohën e votimit.

“Nuk ka dyshim që jemi shumë të shqetësuar për çmimet e larta të benzinës, prandaj Kongresi nuk duhet të miratojë një ligj që do ta bënte më të vështirë shtimin e furnizimit me naftë të papërpunuar dhe me benzinë”.

Zoti Bush ishte në Lindjen e Mesme këtë javë ku nxiti udhëheqësit e Arabisë Saudite të shtojnë prodhimin e naftës dhe të ndihmojnë në uljen e çmimeve rekord. Arabia Saudite e hodhi poshtë këtë kërkesë për të dytën herë këtë vit. Administrata e presidentit Bush thotë se furnizimi jo i mjaftueshëm ka ngritur çmimet, por qeveria saudite thotë se kërkesa dhe oferta janë të balancuara.

Analisti Kevin Book thotë se rritja e prodhimit në shkallën që do të sillte uljen e çmimeve do të ishte e vështirë pasi kërkesa për naftë, veçanërisht nga India dhe Kina, po tërheq një pjesë të madhe të ofertës. Ai thotë se zhvillimi i Kinës ka çuar në më shumë rrugë dhe makina.

Kina është shndëruar nga një konsumator relativisht i vogës i naftës, në tre deri pesë milion fuçi në ditë dhe shumë prej prodhuesve të prodhuesve të naftës nuk e prisnin një rritje të tillë të kërkesës”.

Këtë javë, Senati amerikan refuzoi një plan të debatueshëm të energjisë që do të mundësonte kërkimet për naftë në Alaskë dhe në disa zona bregdetare, ku nuk lejohen shpimet e naftës. Grupet ambjentaliste kanë luftuar kundër kërkimeve në ato zona. //rd//

XS
SM
MD
LG