Lidhje

Mijëra fëmijë festojnë Abetaren


Klasat dhe sheshet e shkollave 9-vjecare të Shqipërisë janë të mbushura këto ditë me prindër, mësues dhe nxënës që festojnë për mësimin e plotë të abetares. Festa e abetares është një ditë tradicionale e arsimit shqiptar, që shënohet prej shumë vitesh sapo programet mësimore përfundojnë me të gjitha shkronjat e alfabetit.

Kjo është një ditë e vecantë për të gjithë dhe fëmijët gëzojnë me lojëra dhe koncerte të organizuara prej mësueseve, ndërsa marrin dhurata dhe diploma të ndryshme. Këtë vit shkollor mësimin e shkronjave e mbarojnë rreth 52 mijë fëmijë në 1200 klasa të para në arsimin fillor, të cilët tani po ndahen nga abetarja, dhe po nisin librat e tjerë.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i fëmijëve për cdo klasë shkon mesatarisht nga 35-40, dhe një mbingarkesë e tillë mjediseve shkollore ndodh sidomos në shkollat e qyteteve të mëdha , ku është përqëndruar pjesa më e madhe e popullsisë pas lëvizjeve të shumta demografike. Kjo ka bëë të nevojshme zgjerimin e shkollave ekzistuese, apo edhe ndërtimin e disa shkollave të reja.

Këtë vit shkollor u regjistruan dhe vazhduan shkollat 770 mijë fëmijë, nxënës dhe studentë në të gjitha nivelet e arsimit. Specialistët vlerësojnë se arsimi 9-vjecar është në një gjendje të qëndrueshme sa i takon numrit të fëmijëve të regjistruar. Luhatjet e numrit të përgjithshëm ndodhin thjesht për shkak të lindshmërisë së brezave por jo për shkak të braktisjes së shkollave, sic ka ndodhur më parë gjatë tranzicionit. //rd//

XS
SM
MD
LG