Analisti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski, tha në Prishtinë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi paraqet një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Në një tryezë me temën "Siguria e Ballkanit pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës", zoti Bugajski tha se përveç mosmarrëveshjeve për emrin, Maqedonia duhet të qartësojë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.
“Një vendim i rëndësishëm i qeverisë së re maqedonase do të ishte pranimi i menjëhershëm i pavarësisë së Kosovë, dhe tërësisë tokësore të Kosovës, duke nënshkruar kështu një marrëveshje të plotë për kufijtë i cili do ta vendoste qartazi Maqedoninë në kampin e qëndrueshmërisë së këtij rajoni, dhe mendoj se kjo do të çonte një porosi të fuqishme tek Beogradit, se Maqedonia qëndron me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovën”, tha analisti i qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
Zoti Bugajski, i cili veçoi Rusinë si njëri ndër faktorët destabilizues të Ballkanit, tha se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO duhet të jenë një shembull i mirë edhe për Beogradin, i cili i mbështetur nga Moska vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës. Ai nuk përjashtoi mundësinë që edhe Serbia në një të ardhme të jetë anëtare e aleancës veri-atlantike, por Beogradi fillimisht duhet të jetë i gatshëm të marrë përgjegjësitë dhe të plotësojë kushtet për anëtarësim në NATO.
“Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të qëndrueshëm të tyre, në modernizimin e forcave të armatosura, në krijimin e lidhjeve më të ngushta dhe aftësive më të mëdha nëpër misionet e ndryshme të NATO-s”.
Kjo, tha zoti Bugajski, do të dërgonte një porosi shumë të qartë në tërë fqinjësinë, duke përfshirë edhe Kosovën, se të gjitha vendet e rajonit kanë mundësi për t’u bërë anëtare të NATO-s, duke shpresuar se me këtë akt janë bindur edhe udhëheqësit në serbi dhe është më mirë për të qenë brenda në NATO sesa të jenë të rrethuar me NATO-n. (ze)