Lidhje

Filmi Vizitori dhe jeta e imigrantëve të paligjshëm në Amerikë


Një film i titulluar “Vizitori” sjell para shikuesit një tregim intim të dy imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Filmi i regjisorit Thomas McCarthy, synon të tregojë anën njerëzore të imigrantëve që futen në Shtetet e Bashkuara ilegalisht.

Në filmin e regjisorit Thomas McCarthy “Vizitori”, Walter Vale është një profesor i ekonomisë nga shteti Conneticut i cili është mbyllur në vetvete pas vdekjes së të shoqes. Ai ka humbur motivimin për punën e tij dhe një ditë niset të shkojë në qytetin e Nju Jorkut për të bërë një prezantim të një studimi të tij. Kur futet në apartamentin e tij në Nju Jork, aty gjen një çift imigrantësh, një muzikant nga Siria të quajtur Tarik dhe të dashurën e tij nga Senegali, të quajtur Zainab. Çifti kishte marrë apartamentin me qera nga një mashtrues i cili u kishte thënë se ishte pronari. Profesori i lejon ata të qëndrojnë dhe dalëngadalë fillon të shoqërohet me Tarkikun i cili e mëson atë si t’i bjerë daulles.

Profesori fillon të futet në jetën e Tarikut dhe Zainabit dhe dalëngadalë fillon të rifitojë optimizmin e humbur. Ai tronditet kur Tariku arrestohet nga policia dhe ballafaqohet me deportim nga Shtetet e Bashkuara. Por profesori nuk mund t’i ndihmojë.

Aktori Richard Jenkins intepreton me mjeshtëri rolin delikat të një njeriu të përmbajtur por shumë bujar. Ai thotë se përmes këtij filmi ka arritur të kuptojë vuajtjet e imigrantëve të paligjshëm. "Ishte diçka e re për mua ashtu si edhe për personazhin në film. Kur fillon ta njohësh dikë, atëherë gjërat ndryshojnë".

Aktori libanez Haz Sleiman luan rolin e Tarikut. Për këtë rol, ai kishte studiuar raste reale, kur njerëzit ishin deportuar se ishin futur në vend ilegalisht dhe thotë se njerëzit që ballafaqohen me një gjë të tillë, vuajnë humbje të madhe përsonale. ”Çdokush do të goditej rëndë nëse deportohet, qoftë edhe kur dërgohet në vendlindjen e tij. Humb çdo gjë për çfarë ke punuar për vite të tëra.

Aktorja me origjinë nga Zimbabveja Danai Gurira luan rolin e Zainabit. Ajo thotë se deportimi mund të shkaktojë probleme psikologjike për shumë imigrantë. ”Unë mësova shumë për stresin post-traumatik në këtë film, që shkaktohet nga rrethana të tilla që shtjellohen në film dhe të bën të mbyllesh në vetvete, të bëhesh shumë i rezervuar. Mendoj se këtë kishte në mend skenaristi kur shkruante për personazhin e Zainabit".

Filmi i regjisorit Thomas McCarthy nuk tregon thjesht historinë e imigrantëve. Ai është edhe një tregim i dashurisë që i lidh njerëzit me njëri tjetrin në një nivel universal. Këtë realitet, të njohur nga imigrantë të panumërt në Shtetet e Bashkuara, filmi e sjell në një mënyrë të ngrohtë dhe pragmatike për të gjithë shikuesit. //rd//

XS
SM
MD
LG