Lidhje

Serbia pas zgjedhjeve të fundit parlamentare


Ka kaluar mëse një javë që nga zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat përfunduan me fitoren e Partisë Demokratike të Presidentit Tadiç. Por në pamundësi për të formuar vetë qeverinë, kjo parti po përpiqet të tërheqë në koalicion Partinë Socialiste të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç. Njohës të çështjeve ballkanike theksojnë se përbërja e koalicionit të ardhshëm qeveritar në Serbi do të kushtëzojë edhe bashkëpunimin e Perëndimit me Beogradin:

Politika amerikane ndaj Ballkanit në përgjithësi, dhe ndaj Serbisë në veçanti mbetet e njëjtë pavarësisht nga qeveritë që zgjidhen, thekson ish-ambasadori amerikan në Serbi Michael Polt. Për këtë arsye, thotë ambasadori, për Perëndimin nuk ka rëndësi se çfarë qeverie vjen në Beograd: "E kemi thënë vazhdimisht se zgjedhja e qeverisë së Beogradit është në dorë të popullit serb dhe jo në dorën e Shteteve të Bashkuara. Cilado qoftë përbërja e qeverisë së ardhshme në Beograd, ajo do të ndeshet me të njëjtën politikë amerikane për Serbinë."

Megjithatë, zoti Polt shton se një qeveri që ka në përbërje forca radikale do ta kishte të pamundur të pajtonte qëndrimet e saj me kërkesat e Perëndimit. Prandaj ai i bën thirrje Partisë Socialiste të tregojë vullnetin e mirë për t’u përfshirë si forcë aktive në prirjen pro-perëndimore në Serbi: "Në këtë moment, Partia Socialiste duhet të vendosë nëse do të jetë pjesë e këtij mentaliteti përparimtar të shprehur qartë nga elektorati, ose nëse do të vazhdojë të shikojë nga e kaluara."

Në fushatën elektorale, Presidenti Tadiç pat deklaruar se Kosova nuk mund të shpëtohet duke paralizuar Serbinë, duke i bërë thirrje elektoratit që të votonte prë të ardhmen. Nuk ka diskutim, thekson ambasadori Polt se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një faktor ndikues në këto rezultate. Duke marrë një status më të përcaktuar, Kosova nuk ishte më në këto zgjedhje një ndër temat vendimtare të votimeve, gjë që i dha mundësi elektoratit serb të votonte bazuar në interesa më imediate.

Fitorja e partisë së Presidentit Tadiç në këto zgjedhje është komentuar si rezultat i angazhimit të fortë të Bashkimit Evropian duke i ofruar Serbisë lehtësime për të shtuar mbështetjen për forcat pro-perëndimore dhe për të nxitur elektoratin të bazojë zgjedhjen në të ardhmen evropiane dhe jo në çështjen e Kosovës.

Megjithatë, Drejtori i Trustit Ballkanik për Demokracinë, Ivan Vejvoda, thekson se Kosova do të vazhdojë të mbetet një çështje e rëndësishme për serbët: "Nuk bëhet fjalë për një zgjedhje ndërmjet njërës apo tjetrës në një të ardhme të afërt. Por sinjali i dëguar nga Bashkimi Evropian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, fakti që Fiati njoftoi fillimin e një investimi të madh, të gjitha janë sinjale se partnerët tanë, qofshin politikë apo ekonomikë, shohin prirjen e Serbisë për përparim pa vendosur para saj zgjedhje të tilla që janë të pamundura për qeverinë në këtë pikë."

Në pritje të arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet forcave politike për krijimin e qeverisë së re, ambasadori Polt thekson se përbërja e koalicionit të ardhshëm qeveritar në Beograd nuk ndikon aspak në politikat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë. Qëndrimi amerikan, thotë ai, mbetet i njëjtë: Kosova është e pavarur dhe të gjithë personat e akuzuar për krime lufte duhet të dërgohen në Hagë dhe Serbia duhet të vazhdojë rrugën e integrimit në komunitetin euro-atlantik.

Si do të reagojë qeveria e Beogradit ndaj këtij realiteti, pra ndaj qëndrimit të partnerëve evropianë, që gjen jehonë edhe në Shtetet e Bashkuara, është në dorën e tyre. Nëse qeveria e ardhshme arrin të përfshijë në politikat e saj këtë realitet, që të sigurojë mbështetjen e perëndimit, do të varet nga koalicioni që përftohet nga këto zgjedhje dhe politikat parësore që cakton ky koalicion. //ad//

XS
SM
MD
LG