Tensionet midis Rusisë dhe Gjeorgjisë lidhur me rajonet separatiste të Abkazisë dhe Osetisë Jugore mbeten të larta. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera u hedh një vështrim zhvillimeve të fundit atje dhe ndikimit që mund të ketë zgjedhja e presidentit të ri tek marrëdhëniet mes Moskës dhe Tbilisit.
Abkazia ndodhet në skajin veriperëndimor, ndërsa Osetia Jugore në pjesën veriore të Gjeorgjisë. Që të dyja këto zona janë në kufi me Rusinë.
Ronald Suni, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, thotë se në bazë të ligjit ndërkombëtar, të dyja rajonet konsiderohen pjesë e Gjeorgjisë.
“ Problemi gjithsesi është se në fund të periudhës sovjetike dhe në fillim të periudhës së pavarësisë së Gjeorgjisë, të dyja këto rajone u rebeluan kundër qeverisë qendrore të Gjeorgjisë, e cila në atë kohë mbante një qëndrim të fortë nacionalist dhe, de fakto, e konsideruan veten entitete të pavarura dhe nën mbrojtjen e Rusisë. Pati luftime të ashpra, njerëzit u zhvendosën, Abkazia u vu nën kontrollin e udhëheqjes Abkaze dhe Osetia Jugore nën atë të osetëve. Që të dyja po mbrohen nga rusët. Që nga viti 1994, ka pasur një armëpushim, megjithëse herë pas here ka pasur edhe përplasje”.
Tensionet midis Gjeorgjisë dhe Rusisë u intensifikuan muajin e kaluar, kur Moska vendosi që të forcojë lidhjet tregëtare dhe politike me rajonet separatiste, lëvizje që shkaktuan indinjatë tek gjeorgjianët.
Një burim tjetër fërkimesh mes Moskës dhe Tbilisit është prania e trupave ruse në Abkazi dhe Osetinë Jugore. Zyrtarisht ata janë atje si paqeruajtës. Por Tbilisi thotë se prania e tyre veçse i shton prirjet separatiste, një akuzë që hidhet poshtë nga Rusia.
Në prill, tensionet u rritën edhe më tej, kur një avion gjeorgjian zbulimi pa pilot u godit dhe u rrëzua mbi Abkazi. Zyrtarët gjeorgjianë thonë se goditja u krye nga një avion luftarak rus, por Moska mohon të ketë pasur gisht. Disa avionë të tjerë janë goditur javët e fundit.
Rusia dhe Gjeorgjia kanë rritur numrin e trupave në zonë dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se po e çojnë rajonin në prag të luftës.
Shumë ekspertë përfshirë Ronald Sunin, thonë se asnjërës palë nuk i intereson të ketë ndonjë konflikt madhor në rajonin e trazuar.
Shumë analistë thonë se një nga faktorët që kontribuoi në shkallëzimin e marrëdhënieve midis Tbilisit dhe Moskës ishin marrëdhëniet e tensionuara personale mes Presidentit gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, dhe ish-Presidentit rus, Vladimir Putin. Ekspertët thonë se zhvillimet e ardhshme do të varen shumë nga marrëdhëniet mes zotit Saakashvili dhe presidentit të ri rus Dmitri Medvedev.
Robert Legvold, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kolumbias, në Nju Jork, nuk sheh ndonjë shenjë për përmirësimin e marrëdhënieve.
“Nuk mendoj se do të jetë e lehtë, sepse në përgjithësin qëndrimi i rusëve ndaj Saakashvilit është i njëjtë. Ata e konsiderojnë atë si rebel, gjaknxehtë dhe shumë anti-rus, i cili që në fillim u bë aleat i Perëndimit dhe një gjë e tillë do të thotë se ai është anti-rus. Ky nuk është vetëm qëndrimi i Putinit. Medvedev duket më i butë dhe sigurisht që ai nuk e dëshiron që të ketë një konflikt ushtarak me Gjeorgjinë që në fillim të mandatit. Kështu që nga Medvedevi dhe Putini duhet një shkallë përmbajtjeje”.
Shumë analistë thonë se problemet mes Rusisë dhe Gjeorgjisë mund të zgjidhen. Por ata thonë se udhëheqës të të dyja vendeve duhet të kenë vullnetin për kompromis, gjë që deri tani nuk e ka pasur as Moska dhe as Tbilisi. //af//