Lidhje

Eduard Kenedi, një jetë në Senatin e Shteteve të Bashkuara


Mjekët që kujdesen për Senatorin Eduard Kenedi njoftuan se ai ka një tumor malinj në tru. Senatori do të vazhdojë të bëjë analiza këtë javë në një spital në Masaçusets për të zbuluar shkakun konkret të krizës konvulsive të shtunën e kaluar. Mjekët thonë se pas analizave do të vendosin se çfarë kure do t’i japin senatorit. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Bush u prek thellë nga njoftimi për diagnozën e zotit Kenedi:

Senatori Eduard Kenedi është patriarku i familjes më të famshme politike në Shtetet e Bashkuara dhe pas më shumë se 40 vjetësh në Senat, ai është një ndër anëtarët më me influencë në Partinë Demokrate. Në janar ai e shfrytëzoi këtë ndikim për t’i dhënë hov fushatës së Senatorit Barak Obama, kur e mbështeti atë si kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale. "E di çfarë mund të arrijë Amerika. E kam parë dhe e kam përjetuar këtë. Me Barak Obamën mund ta arrijmë përsëri."

Obama është krahasuar me vëllain e Senatorit Kenedi, ish-Presidentin Xhon Kenedi, i cili u vra në vitin 1963. Tragjedia dhe ambicjet politike janë të lidhura ngushtë me emrin e familjes Kenedi. Vëllai i Senatorit, Robert Kenedi u qëllua për vdekje kur bënte fushatë për president në vitin 1968.

Eduard Kenedi lindi në Boston në vitin 1932. Ai u zgjodh Senator në vitin 1962 dhe tani është i dyti Senator me karrierën më të gjatë në këtë detyrë. Ai ka qenë kritik i hapur i administratës së Presidentit Bush dhe i luftës në Irak.

Megjithatë, ai ka nxitur bashkëpunimin dypartiak për nisma në mbështetje të kauzave të tij. Ai ka punuar nga afër me Presidentin Bush për të miratuar një ligj për arsimin: "Njerëzit që ishin mbledhur në Kafenenë Crawford Coffee Shop u habitën kur u thashë se faktikisht më pëlqen zoti Kenedi. Ai është një senator i shkëlqyer," tha për të Presidenti Bush.

Pavarësisht nga familja e tij e famshme politike, Senatori Kenedi nuk e përmbushi kurrë ëndrrën e tij për t’u bërë president. Karriera e tij politike thuajse mori fund në vitin 1969, kur po ngiste makinën në Masaçusets dhe u rrëzua nga një urë, gjë që shkaktoi vdekjen e Mari Xho Kohpekni, një vajze e re që udhëtonte me të. Kenedi nguroi për orë të tëra para se të thërriste policinë për të njoftuar aksidentin, dhe kjo u bë shkak për njollën më të rëndë në imazhin e tij publik. Më pas ai konkuroi për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 1980, por humbi përballë Xhimi Karterit.

Që nga ajo kohë, zoti Kenedi i është përkushtuar punës në Senat. Ai është bërë një zë i palodhur në mbështetje të kauzave liberale, duke u bërë edhe objekt sulmesh nga republikanët. Në vitin 2006, zoti Kenedi u zgjodh nga revista Time si një ndër “10 Senatorët më të mirë të Amerikës.” Revista shkruante se ai kishte një të kaluar titanike në punën për ligje që ndikojnë në jetën e kujtdo, çdo burri, gruaje dhe fëmije në Shtetet e Bashkuara.” //ad//

XS
SM
MD
LG