Lidhje

Simptomat tipike të kancerit në tru


Mjekët i bënë një analizë biopsie tumorit të senatorit Edward Kennedy dhe njoftuan dje se ai është malinj. Demokrati dhe mishëruesi i politikave liberale amerikane pësoi një krizë konvulsive të shtunën në mëngjes në shtëpinë e tij në shtetin Masaçusets. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson sjell në materialin e saj informacione mbi këtë tip kanceri.

Mjekët e senatorit Edward Kennedy zbuluan një tumor në indet që mbështesin strukturën e nervave në tru dhe në shtyllën kurrizore. Termi për këtë tumor është glioma malinje. Dhe një nga simptomat e zakonshme janë krizat konvulsive.

Senatori Kennedy u dërgua me urgjencë në spital pas kësaj krize. Instituti Kombëtar i Kancerit thotë se gliomat malinje janë tipi më i zakonshëm i kancerit në tru tek të rriturit. Askush nuk e di shkakun e këtij tumori por faktorët e rrezikut janë disa. Burrat mund të preken prej tij më shumë se gratë. Të bardhët preken më shumë se racat e tjera. Mosha është gjithashtu një faktor. Një tumor i tillë shfaqet më shpesh në moshat mbi 70 vjeçare.

Tumoret në tru mund të diagnostikohen me disa mënyra duke përfshirë skanimin dhe biopsinë. Sëmundja është shumë e vështirë të kurohet por teknologjia e re mund të ndihmojë në këtë drejtim. Në qendrën mjekësore të Universitetit Duke në shtetin e Karolinës së Veriut, mjekët kryejnë një radiokirurgji preçize në tumor me një pajisje të quajtur Novalis Tx. Doktor John Kirkpatrik thotë se kjo teknologji është një zbulim i rrallë. "Kjo na ndihmon të fusim një dozë të lartë mjekimi në tumor, pra ta vemë tumorin më mirë nën kontroll duke mos prekur strukturën normale të trupit".

Mjekët e Senatorit Kennedy nuk e kanë përcaktuar ende metodën e kurimit. Por Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit thotë se rezultetet e pacientëve me gliomë malinje nuk janë të suksesshme. Megjithatë instituti rekomandon ndërhyrje kirurgjikale për të gjitha tumoret në tru të pasuara me rrezatime apo kimioterapi. //rd//

XS
SM
MD
LG