Lidhje

Kosovë - Ndërkombëtarët debatojnë praninë civile pas 15 qershorit


Grupi drejtues ndërkombëtarë për Kosovën i përbërë nga 15 shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës debatoi të enjten në Prishtinë, por pa ndonjë vendim, çështjen e pranisë civile ndërkombëtare pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Grupi, i cili u krijua më 28 shkurt, vetëm 11 ditë pas pavarësisë së Kosovës do të mbikëqyrë zbatimin e pavarësisë dhe e ka emëruar zotin Pieter Faith në postin e përfaqësuesit civil ndërkombëtarë.

Më 15 qershor do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës dhe pas kësaj date do të duhej të përmbyllej misioni i Kombeve të Bashkuara dhe të vendosej Misioni i Bashkimit Evropian. Mirëpo, mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit për shkak të kundërshtimit rus ndaj pavarësisë së Kosovës, do të bëjë që UNMIK-u të vazhdojë praninë e tij në Kosovë.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili mori pjesë për herë të parë në punimet e këtij grupi, tha se pas 15 qershorit do të ndodhë rikonfigurimi i UNMIK-ut ndërsa Prishtina do të vazhdojë të ruajë marrëdhënie të mira me Kombet e Bashkuara. “Nuk duhet pretenduar që të ndërtohen mure mes Kosovës dhe OKB-së.

Pretendimi ynë është i qartë, implementimi i kritereve demokratike, vazhdimi i integrimit të Kosovës në strukturat veri-atlantike, por, natyrisht, përkushtim i vazhdueshëm që në të ardhmen e afërt edhe ne të jemi pjesë e OKB-së”, theksoi kryeministri Thaci. Ai tha se pas 15 qershorit institucionet do t’i marrin përgjegjësitë e tyre dhe do të ushtrojnë hap pas hapi autoritetin e tyre në tërë Kosovën me mbështetje civile dhe ushtarake.

Shefi i Grupit Drejtues për Kosovën, Peter Faith, shprehu bindjen se Zyra e tij dhe Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë EULEX do shtrijnë praninë e tyre në tërë Kosovën përshirë edhe veriun e vendit prej nga personeli i këtij misioni është larguar pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së vendit për shkak të incidenteve të dhunshme. “Zyra Civile Ndërkombëtare ka mandat që të ndihmojë qeverinë në zbatimin e planit të zotit Ahtisaarit, në krijimin e një shoqërie multi etnike në tërë territorin e Kosovës dhe ne po punojmë në këtë kuadër”, tha zoti Faith, por pa qenë në gjendje të thotë se kur mund të fillojë punën konkrete në terren Misioni i Bashkimit Evropian.

Paqartësia e pranisë civile pas 15 qershorit ka shtuar shqetësimet për përplasje mandatesh të kësaj pranie. Një qartësi rreth kësaj çështjeje e ka kërkuar sot edhe komandanti i forcave paqeruajtëse amerikane gjenerali John Davoren.

Në një konferencë me gazetarë në komunën e Vitisë në Kosovën lindore, gjenerali Davoren tha se misioni I KFOR-it do të mbetet I njëjtë edhe pas 15 qershorit por ka disa gjëra që kërkojnë shpjegim. “Ka shumë pikëpyetje se çfarë do të ndodhë me komunitetin ndërkombëtarë, qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera”, tha gjenerali Davoren duke nënvizuar se ai do të donte të sqarojë këto çështje në mënyrë që misioni i tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, të jetë i suksesshëm. Por ai tha se pavarësisht nga zhvillimet politike, qytetarët e Kosovës duhet të llogarisin në përkushtimin e trupave të KFOR-it për t’u përballur me të gjitha sfidat që mund të shfaqen qoftë nga brenda apo jashtë Kosovës. //bsa//

XS
SM
MD
LG