Lidhje

Fred DeFilipo, kryekuzhinieri i CIA-s


Si në libër, edhe në film, personazhi i famshëm Xhejms Bond portretizohet si një njeri që di të shijojë pijet e mira, verën apo aperitivët si martinin. Por Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka punësuar një kryekuzhinier për një restorant tepër të veçantë, ku vetëm ata njerëz që gëzojnë një “imunitet” të lartë sigurie mund të shkojnë për të ngrënë një darkë të mirë.

Fred DeFilipo e mësoi këtë zanat në CIA, por sot ai punon për një tjetër CIA. Ai ndoqi kursin për kuzhinier në Institutin Amerikan të Kulinarisë, që shkurtimisht thirret CIA por përfundoi në një tjetër CIA, në Agjencinë Amerikane të Zbulimit. Tani ai është kryekuzhinier në restorantin e zgjedhur të Agjencisë, që ndodhet në katin e shtatë, të cilin ju nuk mund ta shihni, sepse atje nuk lejohet filmimi.

Po ashtu, ai gatuan për dhomën private të ngrënies të Drejtorit të CIA-s Majkëll Hajden, ku titullari i lartë fton mysafirët dhe ku shërbehet me servise që mbajnë stemën e agjencisë. "Ne këtu kryesisht organizojmë darkat e nivelit të lartë të drejtorit, nëndrejtorit dhe sidomos të komandantëve të lartë të CIA-s, sa herë që ata kanë takime."

Por 5 ditë në javë, ekipi i kuzhinierëve të DeFelipos gatuan gjellë speciale për punonjësit e CIA-s, të cilëve u mërzitet menuja që shërbehet në mensë, ose ushqimet fast-food të agjencisë. Ai u shërben deri në 150 punonjësve në ditë. Këtu DeFilipo gatuan ato që ai i quan menu klasike, të cilat i ndryshon çdo javë. "Më pëlqen variacioni. Dua që klientët të provojnë shije dhe nuanca të ndryshme gatimi. Pra, për mua mbetet një sfidë shijimi i gjellës nga klientët dhe që herën tjetër, po ajo gjellë të jetë më e mirë se herën e fundit."

Një nga recetat e tij më të njohura është skallop me produkte deti, me bizele të njoma, me krem, që serviren mbi makarona. 37 vjeçari DeFilipo e gjeti 4 vjet më parë punën që e kishte ëndërruar në CIA, nga një lajmërim në gazetën e CIA-s tjetër, atë të Artit Kulinar.

Atij i pëlqeu orari i punës por nuk e dinte se ku ndodhej Agjencia dhe ndërtesa e saj, deri në momentin kur filloi puna. “Telefonova dhe mora informacione për punën, pa më treguar vendin ku ndodhej. Më intervistuan me telefon. Para se të vija këtu kontrolluan dokumentacionin tim dhe pastaj më telefonuan, më ofruan punën dhe vetëm atëhere më treguan se ku ndodhej ajo. Unë u befasova...”

Për agjentët e CIA-s që pëlqejnë ëmbëlsirat, Fred DeFelipo bën Tiramisu dhe kek me krem, që i gjen gjithmonë në menunë e restorantit, duke dëshmuar kështu origjinën e tij italiane. Por ai nuk e tregon recetën. Në fund të fundit, ndryshe nga CIA e Insitutit Kulinar, CIA tjetër, ajo e Agjencisë së Zbulimit, a nuk merret pikërisht me ruajtjn e sekretit? //bsa//

XS
SM
MD
LG